Kryeministri Albin Kurti gjatë konferencës së Samitit BE-Ballkani Perëndimor ka folur pak për historinë e axhës së tij në Mal të Zi si i burgosur politik nga regjimi i Millosheviqit.
Kurti këtu përmendi edhe burgosjen e tij, derisa në cilësinë e kryeministrit falënderoi Malin e Zi që u bë strehë e shqiptarëve që po iknin nga gjenocidi më 1999.
“41 vjet më parë në Kotorr ishte xhaxhai im i burgosur politikisht për 3 muaj. Ai vjen nga një fshat Sukobin, që është në komunën e Ulqinit, në kufi me Shqipërinë. 25 vjet më parë unë u bëra i burgosur politik dhe më vonë i burgosur i luftës. Ishte koha kur regjimi i Millosheviqit po ushtronte gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe në Mal të Zi ne patëm një mik, sepse refugjatët shqiptarë që i shpëtuan masakrës, projektit serb për shfarosjen e tyre, gjetën strehë në Malin e Zi ku hasën mikpritjen banorëve vendas. Tani jam përsëri në Kotorr pas disa vjetësh të konferencave të ndryshme si kryeministër i Kosovës për herë të parë dhe në të njëjtën kohë jam shumë i lumtur që axha im është i lirë dhe i shëndoshë në Sukobin”.
Pasi foli edhe për Procesin e Berlinit dhe Planin e Rritjes, në fund të konferencës, Kurti përshëndeti në shqip kushërinjtë e tij në Mal të Zi.
“Përshëndetje, të gjithë atyre që kuptojnë shqip, posaçërisht kushërinjve të mi prej Sukobinës deri në Ulqin”.