Në burg bashkë me Ukshin Hotin, deputeti tregon pse hezitoi ta nderojë me një minutë heshtje

Aktuale

Në burg bashkë me Ukshin Hotin, deputeti tregon pse hezitoi ta nderojë me një minutë heshtje

Më: 16 maj 2024 Në ora: 19:01
Isak Shabani

Punimet në kuvend të enjten filluan me një minutë heshtje. Në këtë formë, të zgjedhurit e popullit, nderuan veprimtarin e shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hotin.

Por, dikush nga deputetet hezitoi të ngritët në këmbë.

Ishte ky deputeti nga PDK, Isak Shabani.

Ky i fundit në tri burgje, pati fatin të jetë bashkë me Ukshin Hotin.

Arsyet e këtij hezitimi, i ka zbuluar veti ai.

“Kur themi një minutë heshtje, zakonisht bëhet për dikë që dihet që ka ndërruar jetë. Përkundër saj, për profesorin e nderuar (Ukshin Hoti) nuk dihet gjë për fatin e tij. Kam hezituar të ngritëm në këmbë, sidomos në momentin kur është thënë lavdi kur ka thënë kryetari i Kuvendit, jam ndier shumë keq, sepse lavdi thuhet për një njeri që ka dhënë jetën”, ka sqaruar ai.

Pas Burgut të Mitrovicës së Sremit dhe atij të Nishit, Shabani e Hoti u transferuan në Burgun e Dubravës.

Edhe pas 25 vjetëve, Shabani e kujton mirë momentin e së dielës së 16 majit të vitit 1999, kur dy gardianë serbë hapën dyert e qelisë ku ndodheshin të burgosurit politik shqiptarë.

“Kanë ardhur e kanë marrë dy gardianë dhe fjalët e tij të fundit, si çdo i burgosur tjetër kur del nga burgu, thoshte; shpresoj që së shpejti do të shihemi jashtë. Kjo ishte shpresa e tij”, thotë Shabani.

Në kohën e zhdukjes së Ukshin Hotit, i biri i tij, Andini, ishte vetëm 11 vjeçar.

Shumica e kujtimeve që i ka me babain janë gjatë vizitave në burgje.

“Ajo çka e mbaj mend të fundit, janë grilat që na ndanin mu edhe babin sepse nuk na lejuan të flasim në këtë takim, në takime të tjera kemi biseduar. E vetmja mënyrë që kemi mundur të prekim atë ditë, ka qenë përmes grilave. Ajo është pamja e fundit. Brengë e tij ka qenë shkollimi jonë”, shprehet Andini.

Edhe në 25 vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, nuk mungon pyetja për fatin e tij.

Prandaj nuk munguan edhe ata që tentuan të përfitojnë shuma të mëdha parash, në këmbim të informacioneve për vendndodhjen e Ukshin Hotit.

“Në vitin 2020 për herë të fundit, një qytetar serb përmes Universitetit të Prizrenit, thotë që e njoh Ukshin Hotin, është gjallë e kam parë para një jave. Një herë i kërkuan 400 mijë euro, pastaj 200 mijë euro në këmbim të informacionit dhe ai informacioni thoshte ta sjellim Ukshin Hotin deri tek kufirin. Por, kur je familjar i personit të zhdukur e di se 99% është mashtrim kjo, por kur je familjar i personit të zhdukur, ai 1% është e gjithë bota për ty”, thotë Andin Hoti.

Në përvjetorin e zhdukjes së babait, Andin Hoti, që është edhe kryetar i komisionit për të pagjeturit, fajëson shtetin serb për moszbatimin e Deklaratës së dakorduar në Bruksel për Personat e Zhdukur.

Kjo e fundit u miratua dy vjet më parë në Bruksel, në takimin e nivelit të lartë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat