​Zgjedhjet e parakohshme, Memli Krasniqi takon ambasadorët e Italisë dhe SHBA

Aktuale

​Zgjedhjet e parakohshme, Memli Krasniqi takon ambasadorët e Italisë dhe SHBA

Më: 16 maj 2024 Në ora: 21:45
Pamje nga takimi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Memli Krasniqi ka zhvilluar sot takime me ambasadorin e SHBA-së Jeffrey Hovenier dhe ambasadorin italian Antonello De Riu, pak ditë pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ku u propozua shkuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme.

Në takim me diplomatin italian, kreu i PDK-së tha se qytetarët dhe shteti i Kosovës kanë nevojë të shpejtë për zhvillim, përparim dhe integrim.

“Zhvillimet politike, qëndrimet dhe vizioni i PDK-së në raport me to, si dhe kërkesa jonë për zgjedhje të parakohshme - ishin tema të diskutimit tonë të përbashkët”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Image

Diskutimet për zhvillimet e fundit politike në vend dhe kërkesa e PDK-së për zgjedhje të reja, ishin temë diskutimi edhe në takimin me ambasadorin amerikan.

“Ambasadorin Hovenier e njoftova me qëndrimet e PDK-së rreth këtyre zhvillimeve dhe arsyet e kërkesës tonë për zgjedhje të parakohshme. Ne besojmë se vendi është në stagnim të plotë dhe ata që po e pësojnë më së shumti janë qytetarët tanë”, ka përfunduar Krasniqi.

PDK-ja ishte partia e vetme opozitare, e cila përgjigj ftesës së kryeministrit Albin Kurti për një takim mbi agjendën e Kuvendit për sesionin pranveror, të cilën e refuzuan dy partitë e tjera opozitare LDK e AAK. Kryeministri Kurti pas takimit u shpreh i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, por kërkoi konsensus edhe me partitë tjera opozitare, duke thënë se do të insistojë të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat