Nga pragu i KiE-së në pasiguri...

Aktuale

Nga pragu i KiE-së në pasiguri...

Më: 17 maj 2024 Në ora: 09:07
Qeveria e Kosovës.

Nga “një hap larg” në “nuk dihet se kur”! Kështu devijoi rruga e Kosovës drejt Këshillit të Evropës në një periudhë prej vetëm tridhjetë ditësh.

Kur më 16 prill Asambleja Parlamentare e kësaj organizate votoi pro Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se “jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg” anëtarësimit në organizatën lidere në kontinent për të drejtat e njeriut.

Një muaj më vonë, kur Komiteti i Ministrave të saj do të merrte vendimin përfundimtar për Kosovën, ajo nuk u fut fare në rend dite.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, tha se këtë e shkaktoi qëndrimi i disa vendeve që Kosova ta pranojë fillimisht draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

Qeveria e Kosovës, fillimisht, e refuzoi këtë kusht, por në një përpjekje të minutave të fundit për ta ndryshuar situatën, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, tha se ka njoftuar Këshillin e Evropës përmes një letre, se Kosova po e përgatit draft-statutin, për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.

“Ne e kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë për të kontribuuar në mënyrë konstruktive. Ky hap nuk ishte i lehtë për Qeverinë e Kosovës. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë dhe presim se cili do të jetë reagimi”, u tha Gërvalla gazetarëve.

Dhe, reagimi nuk ishte aq pozitiv. Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të Quint-it - SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë - tha se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Jashtëm.

“Kosova tani duhet ta bëjë punën e vështirë. Kjo nuk ka ndodhur ende”, tha Ambasada e shtetit gjerman për Radion Evropa e Lirë, më 16 maj.

Në të njëjtën ditë, Gjermania, Franca dhe Italia bënë të ditur se, më 15 maj, i kanë dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në të cilën kanë shprehur mbështetje për një draft-statut të diplomatëve perëndimorë.

Qeveria e Kosovës tha se është duke hartuar një draft-statut të vetin, të frymëzuar nga një version i një organizate gjermane.

Asociacioni që përmendet, do të koordinonte mes tjerash punën në arsim, kujdes shëndetësor dhe ekonomi në komunat me shumicë serbe të Kosovës.

Për themelimin e tij, Kosova dhe Serbia ranë dakord qysh në vitin 2013. Marrëveshja u miratua edhe në Kuvendin e Kosovës, por Gjykata Kushtetuese konstatoi më pas se ajo ishte jokushtetuese, meqë nuk përfshinte edhe etni të tjera.

Pavarësisht garancive nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, Kosova ka frikë tani se një asociacion i tillë do të ndikonte në funksionimin e shtetit.

Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 19 mars kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk e ka pranuar draft-statutin e këtij asociacioni, të hartuar dhe të dorëzuar nga diplomatët perëndimorë në tetor të vitit 2023.

Kurti e përsëriti të njëjtin qëndrim edhe këtë javë, duke thënë se “nuk ka asgjë të re”.

Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se nisma e fundit e Qeverisë së Kosovës rreth draft-statutit është shumë e vonuar.

“Ky hap i sekondës së fundit - me shpresën se mund t’i ndikojë disa vota - është befasues për mua, nëse nuk ka pasur ndonjë koordinim. Njerëzit me të cilët kam biseduar, thonë se nuk ka pasur koordinim të tillë me Bashkimin Evropian apo Quint-in. Nëse ky informacion nuk është i gabuar, unë nuk e kuptoj qëllimin prapa letrës”, thotë Vogel.

Ai nuk mund të gjykojë nëse Kosova ka gabuar që nuk ka vepruar me kohë për të përfituar ulësen në Këshillin e Evropës, por thotë se, qartazi, veprimet e Qeverisë nuk janë serioze.

“Dhe, ato do ta përforcojnë përshtypjen e Quint-it dhe të BE-së se Kurti jo gjithmonë vepron me mirëbesim. Pavarësisht nëse kjo përshtypje është e justifikueshme ose jo, të luash teatër politik si ky, për një çështje shumë serioze, vetëm se do ta përforcojë atë përshtypje”, thotë Vogel.

Për Augustin Palokajn, gazetar që prej vitesh përcjell politikën evropiane, Kosova e ka humbur një “rast shumë të mirë” për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, i cili nuk dihet se kur do të vijë sërish.

“Kemi raportuar shpesh për dobitë që i kanë qytetarët e Kosovës nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe tani, për shkak të mosanëtarësimit, ata kanë pasoja. Për shembull, nuk do të mund të kenë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Gjasat tani janë shumë të vogla që të ketë lëvizje edhe për integrimin e Kosovës në ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare, përfshirë këtu nisjen e procedurave për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE”, thotë Palokaj.

Me rregullore, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që përbëhet prej 46 vendesh anëtare, mblidhet një herë në vit, që do të thotë se takimi i radhës do të jetë në maj të vitit 2025.

Por, Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, që përcolli nga afër rrugëtimin e Kosovës, pret një takim të jashtëzakonshëm - ndoshta edhe brenda javësh.

“Nëse Kosova e dorëzon këtë draft në Gjykatën Kushtetuese, ashtu siç ka thënë tani, atëherë duhet të ketë së shpejti një samit dhe Kosova duhet të pranohet këtë verë. Kjo duket reale tani. Merr kohë, sepse nuk është e lehtë për qeveritë në Evropë dhe në Prishtinë të gjejnë konsensus. Është vonë, por nuk është shumë vonë”, thotë Knaus për Radion Evropa e Lirë.

Palokaj, megjithatë, nuk është optimist për këtë.

“Premtimet se mund të ketë takime të jashtëzakonshme, janë vetëm tentime për ta ulur dëmin që është bërë me mosvendosjen e Kosovës në rend dite dhe moskalimin e aplikimit të saj për anëtarësim. Pra, nuk dihet se kur do të vijë rasti tjetër. Kemi shembullin e UNESCO-s [Agjencisë për Kulturë të OKB-së], ku Kosova vetëm për dy-tri vota nuk është pranuar. Pastaj, kanë kaluar 9 vjet dhe nuk është shfaqur ndonjë rast tjetër për anëtarësim në UNESCO”, thotë Palokaj.

Palokaj shton se, ndërkohë, mund të ndryshojnë edhe qëndrimet e vendeve që, deri më tash, e kanë mbështetur Kosovën.

Ai e merr si shembull të mundshëm Maqedoninë e Veriut, ku, javën e kaluar partia nacionaliste VMRO-DPMNE i fitoi zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, duke i rritur shqetësimet për marrëdhëniet e ardhshme të këtij vendi me fqinjët, por edhe me BE-në.

Për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, në favor të vendit aplikues duhet të jenë së paku dy të tretat e votave në Komitetin e Ministrave.

Nga 46 vende anëtare sa ka organizata, Kosovën e kanë njohur 34.

Për të siguruar anëtarësinë, në favor të saj do të duhej të votonin ministrat e së paku 31 vendeve.

Tash për tash, Kosova mbetet në vendndalim, derisa vendi kryesues i Këshillit të Evropës ta nxjerrë në agjendën e Komitetit të Ministrave - qoftë në mbledhje të jashtëzakonshme, qoftë në cilëndo mbledhje të rregullt në vitet e ardhshme. Në parim, procedura në Asamblenë Parlamentare nuk përsëritet.

Kosova ka vite që nuk ka arritur të bëhet pjesë e ndonjë organizate të madhe ndërkombëtare dhe këtu ka luajtur rol edhe lobimi kundër i Serbisë.

Një nga dështimet e fundit ndodhi në vitin 2018, kur agjencia ndërkombëtare e policisë, Interpol, e refuzoi pranimin e Kosovës për herë të tretë.

Duke reaguar ndaj nismës së fundit të Qeverisë së Kosovës për draft-statutin e Asociacionit, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ajo është “një tentativë e madhe mashtrimi”.

Bëhet fjalë për një falsifikim të pastër, përmes të cilit Kurti dëshiron t’i shmangë obligimet e tij nga dialogu [për normalizimin e marrëdhënieve] me Serbinë”, tha Petkoviq.

Por, Vogel thotë se ajo që duhet të ndryshojë tani, është qasja e Perëndimit ndaj Serbisë.

“Për Asociacionin është rënë dakord në rrethana krejt ndryshe prej tash. Marrëveshja është arritur në kohën kur dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës ka qenë i fokusuar në mënyrë eksplicite në krijimin e kushteve për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, që do të nënkuptonte së paku njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Tani jemi në një situatë kur Qeveria e Serbisë e ka njoftuar zyrtarisht BE-në se nuk do të pranojë asgjë që do të ishte njohje de facto e Kosovës”, thotë Vogel.

Asociacioni dhe njohja de facto e Kosovës janë pjesë të Marrëveshjes së Ohrit mes dy vendeve, e arritur vitin e kaluar.

Bashkimi Evropian këmbëngul se ajo duhet të zbatohet, edhe pse nuk është nënshkruar.

Muajin e kaluar, BE-ja e kushtëzoi zyrtarisht integrimin e Serbisë në këtë bllok me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ndaj Kosovës mban në fuqi masa ndëshkuese, të cilat u ndërmorën qysh vitin e kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat