Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

Aktuale

Rruga e Kosovës drejt KiE-së, e mbingarkuar dhe me shpresë

Më: 17 maj 2024 Në ora: 09:24
Foto ilustrim

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë. Megjithatë, zyrtarë të qeverisë presin që zotimi i tyre për Asociacionin e komunave me shumicë serbe të shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, me shpresën që anëtarësimi i Kosovës të shqyrtohet në një mbledhje të jashtëzakonshme më vonë gjatë këtij viti.

Kjo, me gjithë faktin se Kosova tha të enjten se i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Mbledhjet e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave janë të rralla dhe për të fundit herë një e tillë ka ndodhur pas agresionit rus në Ukrainë, për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli i Evropës.

Gerald Knaus, nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet, i cili ka përcjellë nga afër rrugëtimin e Kosovës drejt KiE-së, mendon se letra ka shkuar pak me vonesë por vendet anëtare duhet të thonë se e mbështesin nismën e Kosovës dhe duhet të bëjnë thirrje për një samit të jashtëzakonshëm së shpejti, me shpresë brenda disa javësh.

Më 16 prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, përfshirja e saj në rendin e ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot u pamundësua, meqë Kosova refuzoi të hedh hapa drejt themelimit të Asociacionit.

Ndonëse në raportin e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës thuhet se themelimi i Asociacionit duhet të jetë një “angazhim pas anëtarësimit” për Kosovën, vendet e "Quint-it", siç njihet pesëshja kryesore perëndimore e përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar, e kanë parë çështjen e këtij anëtarësimi si një mundësi për të ushtruar trysni mbi qeverinë e kryeministrit Albin Kurti rreth kësaj çështjeje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit, duke e cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, njoftoi dje se kishte informuar Këshillin e Evropës se Kosova mëton të përgatisë një draft-statut dhe ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim në fund të muajit.

Gërvalla tha se pret që Këshilli i Evropës të marrë seriozisht këtë hap të Kosovës dhe të pranojë Prishtinën si anëtaren më të re të kësaj organizate për të drejtat e njeriut.

Kurse, Bekim Kupina, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, tha në një deklaratë me shkrim se letra drejtuar Këshillit të Evropës nuk është këshilluar dhe as dakorduar me presidenten Osmani. Në deklaratë thuhet se “presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të bashkërenduara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë”, thuhet në deklaratë.

Partitë opozitare e cilësuan të gabuar dhe të vonuar veprimin e qeverisë. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se është ditur që mbledhja e Këshillit të Ministrave mbahet më 16 dhe 17 maj dhe nuk është dashur të lihen gjerat për minutën e fundit.

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, e cilësoi letrën e qeverisë të pakuptimtë.

Dritëro Arifi, profesor i integrimeve evropiane, tha se veprimi i qeverisë duhej të kishte ndodhur shumë më herët.

Përndryshe, Këshilli i Evropës dje e sot po shënon 75-vjetorin e themelimit. Kjo organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e cila ndodhet me seli në Strasburg.

Këshilli i Evropës u themelua më 5 maj 1949 për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike. Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare. Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë. Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Trupi më i njohur i Këshillit të Evropës është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila zbaton Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat