Dita e mosanëtarësimit të Kosovës në KiE

Aktuale

Dita e mosanëtarësimit të Kosovës në KiE

Më: 17 maj 2024 Në ora: 21:36
Foto ilustrim

Sot do të duhej të ishte dita e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por kjo nuk ka ndodhur, pasi Qeveria e Kosovës ka refuzuar ta përmbushë kushtin që iu kërkua nga disa vende anëtare. Prandaj, sot në Komitetin e Ministrave nuk ishte fare në agjendë opinioni pozitiv i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Megjithatë, vendet anëtare kanë shprehur gatishmëri që Kosova të mund të bëhet anëtare në një fazë të mëvonshme, nëse e dërgon draftin e Asociacionit në Kushtetuese. Përmes ministres së Jashtme, Kosova dje e dërgoi letrën zotuese për Asociacionin, por letra u konsiderua e vonuar.

Nga përkrahja për Ukrainën e deri të sfidat që i sjellë inteligjenca artificiale, ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës diskutuan dhe vendosën për shumë çështje, por jo edhe për të shumëpriturën, anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Krejt çfarë i mbeti përfaqësuesve të kësaj organizate ishte shqyrtimi i mënyrave si të shkohet tutje me procesin e anëtarësimit të vendit.

"Anëtarësimi i Kosovës është përmendur disa herë sot gjatë deklaratave të ministrave. Ne kemi marrë letrën nga Asambleja e Përgjithshme, me rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës. Dhe, në kuadër të presidencës sonë bëmë gjithçka që mundëm për të çuar përpara procesin, së bashku me të gjitha shtetet anëtare. Dhe, Komiteti i Ministrave ka nisur tashmë diskutimet për këtë çështje dhe aktualisht po shqyrton se si të vazhdojë tutje", tha Dominique Hasler, ministre e jashtme e Lihtenshtjanit.

Kosova nuk u përfshi në agjendën e takimit të shefave të diplomacive evropiane të organizatës më të vjetër në botë. Epilogu pozitiv i votimit nuk ishte i garantuar meqë nga Kosova u kërkua që të përmbushë një parakusht e i cili lidhet me hapa konkrete drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sidoqoftë, kjo çështje nuk u la pa u përmendur gjatë takimit ministror, para së gjithash nga fqinjtë e Kosovës.

 “Komiteti i Ministrave duhet të veprojë i frymëzuar nga thirrja e Asamblesë Parlamentare, e cila pasqyron misionin thelbësor të organizatës sonë. Mirëpresim të gjitha shoqëritë dhe njerëzit që u përmbahen vlerave tona. Ndërsa qeveria e Kosovës duhet të përmbushë zotimet e saj ndërkombëtare dhe të dëgjojë me kujdes përkrahësit e saj më të vendosur, të mos humbasim më kohë dhe ta korrigjojmë këtë gabim duke mbajtur së shpejti një tjetër ministror dhe të mirëpresim popullin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, tha Igli Hasani, ministër i Jashtëm i Shqipërisë.

Sikur shefi i diplomacisë shqiptare, ashtu edhe homologu i tij nga Maqedonia e Veriut, bënë thirrje që të mbahet një takim i jashtëzakonshëm ku Kosova do pranohet në Këshillin e Evropës.

“Është me rëndësi të madhe që të mos i shmangemi pranimit të të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe  përkushtimet tona. Prandaj, ne e kemi mbështetur vazhdimisht synimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim rekomandimin e Asamblesë së Përgjithshme për të ftuar Kosovën për t'iu bashkuar kësaj organizate. Ne besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet e tjera. Anëtarësimi sa më i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Kryesuesja e radhës në këtë organizatë, Ministria e Jashtme e Lituanisë, ishte pak më optimiste për fatin e Kosovës, sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Nuk kam shumë për të shtuar lidhur me Kosovën. Nuk është çështja nëse do ndohë por kur do të ndodhë. Procesi do vazhdojë”, tha Ingrida Šimonytė, kryeministre e Lituanisë

Për anëtarësimin e Kosovës është i domosdoshëm pëlqimi i ministrave. Ata takohen vetëm një herë në vit. Gjithnjë ekziston mundësia për organizimin e takimit të jashtëzakonshëm, ku do votohej anëtarësimi i vendit në organizatë. Sidoqoftë për momentin nuk ka konfirmim nëse ka disponim për një takim të tillë, në mënyrë që anëtarësimi mos të shtyhet për vitin tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat