Gashi tregon pse dështoi anëtarësimi në KiE

Aktuale

Gashi tregon pse dështoi anëtarësimi në KiE

Më: 18 maj 2024 Në ora: 08:16
Arben Gashi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka folur në lidhje dështimin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gashi duke kritikuar Qeverinë ka thënë se kanë qëndruar shumë të heshtur, ndërsa nga ana tjetër Qeveria e Serbisë ka qenë shumë aktive.

“Problemi është se qeveria e Kosovës dhe institucionet kanë qëndruar shumë të heshtura ndërkohë që qeveria e Serbisë dhe presidenti i Serbisë kanë qenë shumë aktiv. Presidenti i Serbisë ka pas vizitë në Francë ku ka takuar presidentin francez dhe po ashtu ka patur takime edhe me udhëheqës të Gjermanisë dhe Italisë. Ndërkohë që presidentja jonë dy javët e fundit nuk ka qenë në Kosovë dhe kryeministri nuk duket se ka bërë ndonjë vizitë të rëndësishme as në Francë as në Gjermani dhe as në Itali. Si duket e kanë humbur momentumin me këto tri shtete dhe është krijuar një situatë e re pra situata e re e krijuar mendoj se është në disfavor të Kosovës dhe është dashur që Kosova të jetë më e kujdesshme.” – ka thënë Gashi.

Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka bërë gabime, duke thënë se këto gabime po i shkaktojnë dëm Kosovës.

“Nëse palët do të kishin qenë më aktive, nëse do të ishin më të drejtpërdrejta në komunikim me presidentin francez, kancelarin gjerman dhe kryeministren e Italisë unë jam goxha optimist se do të kishim një rezultat tjetër. Por tani jemi para situatës së krijuar dhe mendoj se qeveria e Kosovës në vazhdimësi ka bërë gabime dhe këto gabime po i shkaktojnë dëm Kosovës.”

“Reputacioni i qeverisë së Kosovës sidomos i kryeministrit Kurti përballë bashkësi ndërkombëtare është reputacioni i një personi që nuk e mban fjalën dhe reputacioni i një personi që në vazhdimësi ka mashtruar dhe dhënë premtime ose ka bërë marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe kur ka ardhur në Kosovë nuk i ka zbatu. Ky lloj reputacioni është shëndërru në problem për Kosovën.” – ka thënë Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka folur edhe për mënyrën se si Draft-Statuti u bë kusht për pranimin e Kosovës në KiE.

“Draft-Statuti si kusht ka qenë propozim së pari i deputetëve serbë, pastaj i disa deputetëve individualë italianë dhe ndonjë deputet francez në Komitetin për politikë dhe në Komitete të tjera. Kur është diskutu raporti final kanë qenë propozime për t’u futur, por mobilizimin që e kemi patur me Grupin politik të Partisë Popullore Evropiane ku eshte pjesë LDK-ja, me grupin politik të Partisë Socialiste ku është pjesë LVV-ja dhe me grupin politik ‘Alde’ ku është pjesë PDK-ja kemi arritur që t’i rrëzojmë të gjitha ato propozime.Propozimet kanë qenë edhe më herët por janë rrëzuar me votë edhe në Komitete edhe në seancë”.

“Si duket qeveria e ka marrë shumë lehtë këtë punë dhe nuk e ka bërë punën e vet.” – tha Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat