Veç tre prokurorë për t’i hetuar krimet e luftës - Gjykimi në mungesë e shtimi i kapaciteteve, alternativat e vetme

Aktuale

Veç tre prokurorë për t’i hetuar krimet e luftës - Gjykimi në mungesë e shtimi i kapaciteteve, alternativat e vetme

Më: 19 maj 2024 Në ora: 11:03
Ardian Bajraktari

Vetëm tre prokurorë janë të angazhuar për t’i hetuar rastet e krimeve të luftës dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Por ky numër është i pamjaftueshëm sipas njohësve të drejtësisë, të cilët thonë se ky numër duhet të rritet.

Në mungesë të prokurorëve, avokatët e shohin si mundësi edhe gjykimin në mungesë, e cila tashmë ekziston në Kodin e Procedurës Penale, ndërsa sfidë tjetër e shohin edhe mosbashkëpunimin me shtetin serb.

Avokati Ardian Bajraktari, thotë se ky proces është paksa kompleks, marrë parasysh se procesi ka qenë nën përgjegjësinë e autoriteteve ndërkombëtare. Komplekse këtë proces e sheh edhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e Serbisë.

“Natyrisht se krimet e luftës janë komplekse në përgjithësi por në rrethana të rastit tonë janë më tepër për faktin se për një periudhë jashtëzakonisht të gjatë kohore këto kanë qenë kompetence, përgjegjësi  e autoriteteve ndërkombëtare. Po ashtu komplekse bëhet edhe fakti se fqinjët verior nuk ka thuajse gatishmëri fare për të bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës për të vënë para përgjegjësie të gjithë ata qoftë urdhërdhënësit ose edhe ekzekutorët e krimeve të luftës, prandaj nuk ka gatishmëri thuajse fare, atëherë alternativë mbetet çështja e gjykimit në mungesë tashmë me kodin e procedurë penale ekziston kjo mundësi por kërkohet angazhim shtesë, me theks të veçantë i prokurorisë”.

“Sa i përket çështjes ë institucioneve në kuadër të policisë vitin e fundit 2023 kemi rritje te stafit të departamentit përkatës që merren me këtë çështje, ndërsa sa i përket prokurorisë natyrisht që departamenti aktual që merren me hetimet e krimeve të luftës ka një numër tejet të vogël, përkatësisht tre prokuror që merren me këtë çështje e natyrisht shpresoj që në një periudhë sa më të shkurtër ky numër të rritet pse jo edhe të dyfishohet”.

Suksesi i mangët për të sjellë para drejtësisë të akuzuarit për krime lufte, alternativë sipas Bajraktarit mbetet gjykimi në mungesë.

“Kjo do të ishte e mirëseardhur që kur do të kishim një fqinj verior që do bashkëpunonte me institucionet e drejtësisë të vendit tonë, pra bazuar në faktin që ata vazhdojnë me qenë rob të mendësisë se vjetër shto faktin që kemi udhëheqës të një shteti i cili natyrisht që i ka kontribuar edhe përmes propagandës dhe ajo vetëm një regjimi i cili ka kryer këto krime. Unë jam pesimist që mund të kemi ndonjë alternativë tjetër por aktualisht mbetet çështja e gjykimit në mungese e cila sipas nenit 303 të Kodit të Procedurës Penale natyrisht që nënkupton disa angazhime, punë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe shtesë të Prokurorisë për ta bindur Gjykatën se është bërë përpjekje e arsyeshme për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, u shpreh Bajraktari.

E avokati tjetër, Yll Zekaj thotë për Eo se trajtimi i krimeve të luftës nuk është marrë me shumë seriozitet nga qeveritë. Kritika ka edhe për mungesë të strategjisë për hetimin e krimeve të luftës

“Faktikisht as kjo Qeveri e as qeveritë e kaluara nuk kanë bërë mjaftueshëm për të trajtuar krimet  e luftës që kanë ndodhur në Kosovë, për të hetuar dhe gjykuar. Të njëjtat duke pasur parasysh numrin e prokurorëve dhe kapacitetet që ka Prokuroria Speciale dhe departamenti për krimet e luftës për t’i trajtuar rastet e tilla.  Si numër, si pozita janë 4 pozita në këtë departament por faktikisht kemi tre prokuror që tanimë merren me krimet e luftës e që është numër jashtëzakonisht i vogël për t’i trajtuar të gjitha ato krime që kanë ndodhur në Kosovë”.

“Duhet të kemi parasysh që kemi mbi 13 mijë civilë të vrarë, kemi mbi 1 500 të zhdukur dhe sipas raporteve të ndryshme kemi mbi 22 miliardë dëme të krijuara nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe të gjitha këto janë potencial për tu hetuar. Edhe qeveritë e kaluara edhe kjo nuk kanë bërë asgjë për t’i trajtuar e ngritur kapacitet e prokurorisë në këtë drejtim. Ende nuk kemi një strategji të Kuvendit për t’i trajtuar krimet e luftës e që kemi strategji për shumë gjera të tjera por jo edhe për krimet e luftës e që është dashtë të jetë një e tillë për t’i caktuar objektivat se si të trajtohen këto krime. Duhet të shumëfishohet numri i prokurorëve e stafit profesional brenda Prokurorisë dhe duhet t’i ngritim kapacitet profesionale në task-forcat policore për t’i trajtuar këto”, deklaroi Zekaj.

E krahasuar Kosovën me shtetet e rajonit të cilët kanë dalë nga lufta, Zekaj thotë se e kanë marrë me shumë seriozitet dhe kanë investuar më shumë. Ndërsa gjykimin në mungesë, nuk e sheh fortë frytdhënës.

“Është bërë shumë e madhe gjykimi në mungesë por edhe gjykimi në mungesë ka kufizime të caktuar të cilët prapë se prapë nuk mund t’i zhvillosh në mënyrë të pakufizuar. Ne theksoj se kemi problem me kapacitet njerëzore profesionale e cila është mungesë e vullnetit politik për t’i zhvilluar të njëjtat, nuk mund të aludoj Kosova që me tre prokurorë me mungesë të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve mund të bëjnë më tepër për adresimin e krimeve të luftës. Nëse i këqyrim shtetet tjera, Kroacia e Bosnja që kane pasur histori të njëjta të luftës me ne ata kanë investuar 10 fish ose më shumë se sa që ka investuar Kosova në kapacitet e luftës dhe kjo tregon një jo seriozitet sidomos spektrit politik”, thotë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat