Policia jep detaje për aksionin në veri: U konfiskuan miliona euro e dinarë

Aktuale

Policia jep detaje për aksionin në veri: U konfiskuan miliona euro e dinarë

Më: 20 maj 2024 Në ora: 16:12 Përditësuar në ora: 21:26 më 20.05.2024
Foto nga vendi i ngjarjes

Policia jep detaje për aksionin në veri: U konfisikuan miliona euro e dinarë

Nga: H.O.

Policia e Kosovës në një komunikatë për media ka bërë të ditur se në operacionin e sotëm në ver, janë konfiskuar edhe disa prova të ndryshme materiale.

Policia bën të ditur se ka konfiskuar 1 milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinarë e monedha të tjera.

Komunikata e plotë:

Operacioni policor i realizuar sot në veri të vendit, ku u mbyllen gjashtë njësi ilegale të të ashtuquajturës ‘Bankë Postare Kursimore’, rezultoi edhe me konfiskimin e provave të ndryshme  materiale siç janë;

Rreth 1.600.000 euro, Rreth 74.700.000 dinar, Rreth 19.500 franga, Rreth 13.800 dollar amerikan, Rreth 40 dollar australian. Dokumentacione dhe prova relevante që ndërlidhen me rastin.

Gjashtë filiale të  të ashtuquajturës  ‘Bankë Postare Kursimore’  në veri të vendit janë mbyllur dhe në objektet e tyre janë vendosur shenjat zyrtare për mbylljen e tyre, përderisa të gjitha veprimet e mëtejme policore do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.

Bashkangjitur keni foto-dëshmi zyrtare nga operacioni policor.

Serbia dënon aksionin policor në veri të Kosovës

Zyrtarët në Serbi kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës ndaj objekteve të Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë.

Gjatë aksionit të 20 majit, Policia e Kosovës tha se mbylli gjashtë objekte të Banës Postare Kursimore, pasi sipas saj, ato vepronin paligjshëm në veri të vendit.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e cilësoi aksionin si “akt barbar që drejtpërdrejt kërcënon mbijetesën e popullit serb” në Kosovë.

“Kujt dhe pse po iu pengon Banka Postare Kursimore? Për shkak të çekut. Serbët në Kosovë janë komuniteti i vetëm në Evropë që nuk mund të operojnë normalisht. A kanë të drejtë ata që të kenë paga dhe pensione? Apo asgjë nuk iu lejohet”, tha Vuçeviq, sipas një njoftimi të Qeverisë serbe.

Në njoftim u tha se këto pyetje nuk i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por komunitetit ndërkombëtar.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në reagimin e tij për këtë aksion, tha se kryeministri Kurti vazhdon “me terror ndaj popullit serb” në Kosovë, duke kryer “bastisje në degët e Bankës Postare Kursimore”.

Ai shtoi se “kjo çon në konflikte të reja në Ballkan, me pasoja të pallogaritshme”.

Për aksionit e 20 majit reagoi edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe. Kjo zyre pretendoi se gjatë aksionit, Policia e Kosovës ka “keqtrajtuar” punonjësit e institucioneve serbe.

“Është shqetësues fakti që pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it ishin vëzhgues të heshtur të aksionit të sotëm të paligjshëm dhe të dhunshëm në veri të Kosovës. U bëjmë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që urgjentisht të ndalojnë Kurtin dhe të mbrojnë paqen dhe popullin serb në Kosovë”, u tha në reagim.

Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës, së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës.

Ky institucion nuk raportoi për ndonjë incident gjatë aksionit, në të cilin u panë edhe pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe ata të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë parë duke marrë pjesë në aksionin në veri.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës, vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.

Serbia ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.

BQK-ja ka thënë më 13 maj se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke u thirrur në ndikimin që mund të ketë te komuniteti serb në Kosovë, që pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga buxheti i Serbisë.

Mbyllja e pikave të ‘Bankës Postare Kursimore’ – aksioni pa policë specialë, në veri shihen edhe pjesëtarë të EULEX-it

Policia e Kosovës po kryen bastisje në disa institucione financiare në veri të vendit, ndërsa ka njoftuar se 6 prej tyre i ka mbyllur tashmë.

Në këtë operacion shihen të jenë angazhuar policë të rregullt dhe jo ata specialë.

Në Zveçan, ndërsa Policia po e zhvillon aksionin, jashtë janë parë disa pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).

Policia tha se “ky operacion policor është duke u zhvilluar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Kosovës dhe organeve të drejtësisë, aksion ky i cili deri më tani ka kaluar pa ndonjë problem apo incident”.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, thuhet në njoftim.

Para një jave, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se e ka përmbyllur periudhën tremujore tranzitore për zbatim të lehtësuar të rregullores për operacione me para të gatshme, që synon ta heq dinarin serb si mjet pagese në vend.

Tash që euro konsiderohet valuta e vetme e vlefshme për transaksione në Kosovë, rregullorja e BQK-së parashikon ndëshkime për ata që e përdorin dinarin serb si mjet pagese.

BQK-ja ka thënë se gjatë periudhës tranzitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.

Kryeministri Albin Kurti tha para një jave se BQK-ja “e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi”.

Çështja e dinarit e ka përballur Qeverinë e Kosovës me kundërshtimin e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullores së re të BQK-së.

Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq janë takuar disa herë në Bruksel, në një përpjekje të pasuksesshëme për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje.

Disa serbë janë mbledhur para Bankës së mbyllur nga Policia në veri

Disa serbë të veriut janë mbledhur para Bankës Postare të Kurimeve në veri të vendit, të mbyllur para pak çastesh nga Policia e Kosovës.

Në pamje shihen se serbët po qëndrojnë ulur para këtij institucioni derisa situata është e qetë.

Në këtë pjesë të veriut aktualisht ndodhen edhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Rreth këtij aksioni të Policisë së Kosovës ka regjur edhe ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, i cili tha se një gjë e tillë ka ndodhur me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë.

“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi. Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar”, ka shkruar Sveçla.

Pas aksionit në veri, reagon ministri Sveçla

Policia ka zhvilluar një aksion në veri të Kosovës duke mbyllur kasafortën e Bankës Kursimore të Postës së Serbisë dhe pesë filiale të tjera të saj në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Pas këtij veprimi ka raguar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se sundimi i ligjit është zotimi ynë që jemi zotuar në vazhdimësi.

Postimi në Facebook:

Me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë, pas komunikimit dhe kërkesës së institucioneve relevante dhe autorizimit të prokurorit, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Administratën Tatimore të Kosovës, në katër komunat në veri të Kosovës ka realizuar sot operacionin e kontrollit dhe mbylljes së 6 njësive të të ashtuquajturës Bankë Postare e Kursimeve (Banka Postanske Stedionica) si institucion i jashtëligjshëm financiar i Serbisë në Republikën e Kosovës.

Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi.

Përgëzoj të gjitha institucionet për bashkëpunimin dhe suksesin e treguar.

Aksioni në veri ende duke vazhduar, Elshani jep detaje

Zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, ka dhënë detaje lidhur me aksionin e policisë së Kosovës në veri të vendit.

Si rezultat i këtij aksioni i cili është duke u zhvilluar ende, janë mbyllur gjashtë njësi të “Bankës Postare Kursimore”, në veri.

Elshani ka thënë se më vonë do të dihet se a do të mbyllen këto biznese apo si do të procesohet tutje.

Situatën në veri, Elshani e përshkruan si të qetë.

“Ne kemi pranuar informacione të ndryshme për veprimtari të mundshme kriminale në veri të vendit. Kemi pranuar informacione për disa biznese që nuk janë duke iu përshtatur ligjeve të Kosovës… dhe me urdhër të prokurorit kemi ndërhyrë në disa lokacione në veri të vendit. Me vete kemi pasur edhe ATK-në në mënyrë që këto biznese të shikohen në aspektin ligjor se a janë të regjistruara apo jo. Jemi ende në veri të vendit nëpër këto biznese dhe do të shohim më vonë se a do të mbyllen apo si do të veprohet më tutje. Kur të largohemi nga aty do të kemi më shumë informacione… varet nga të gjeturat që do t’i bëjmë atje. Situata në veri është e qetë, policët kanë marrë masat e nevojshme që ne t’i kryejmë punët tona të papenguar, nuk ka ndonjë problem”, u shpreh ai.

Mbyllen gjashtë pika të Bankës Postare të Kursimeve në katër komunat veriore

Policia e Kosovës i ka mbyllur gjashtë pika të Bankës Postare të Kursimeve në katër komunat veriore të Kosovës.

Lajmin e konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani.

Policia e Kosovës, paraprakisht ka kryer aksion në filialet e Bankës së Kursimeve në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

“Në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në Veri të vendit është duke u zhvillu veprimtari e kundërligjshme, me autorizim të prokurorit kemi ndërhy dhe të njëjtat jemi duke i kontrolluar. Me neve është edhe ATK”, ka thënë Elshani.

Në aksion po marrin pjesë edhe ushtarët e KFOR-it.

Policia me aksion në disa biznese në veri

Një aksion në Mitrovicë të Veriut është zhvilluar nga Policia e Kosovës këtë të hënë.

Këtë e ka konfirmuar, zëvendësdrejtori i Policisë në rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani.

Ai ka thënë se aksioni është mbajtur nën dyshimin që disa biznese po zhvillojnë veprimtari të kundërligjshme.

Të njëjtat po kontrollohen nga policia e Kosovës.

Ky aksion sipas Elshanit po zhvillohet bashkë bashkë me ATK-në dhe me autorizim të prokurorit.

“Në bazë të informacioneve të pranuara se në disa biznese në Veri të vendit është duke u zhvillu veprimtari e kundërligjshme, me autorizim të prokurorit kemi ndërhy dhe të njëjtat jemi duke i kontrollu. Me neve është edhe ATK”, ka thënë Elshani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat