Kurti mirëpriti në takim Chulick, shpreh brengën në lidhje me spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë

Aktuale

Kurti mirëpriti në takim Chulick, shpreh brengën në lidhje me spastrimin etnik të shqiptarëve në Luginë

Më: 20 maj 2024 Në ora: 19:36
Foto nga takimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, mirëpritën Zëvendës ndihmës Sekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan, Nicole Chulick.

Siç bëhet e ditur në komunikatën për medie, në këtë takim, Kurti shprehu brengën e tij në lidhje me spastrimin etnik administrativ të shqiptarëve që po ndodh në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nga autoritetet e Serbisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për përkrahjen prej dekadash të ShBA-ve, sidomos nga Byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, duke theksuar përkushtimin e lartë të Republikës së Kosovës për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe përkushtimin e qeverisë ndaj sundimit të ligjit.

“Kryeministri Kurti e njoftoi me politikat dhe masat mbështetëse të qeverisë për komunitetet joshumicë dhe grupet e margjinalizuara, ndër to mbështetja financiare për qendrat e mësimit dhe bursat për nxënës e studentë nga radhët e po këtyre komuniteteve, procesi i verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut me qëllim lehtësimin e qasjes në mundësi të punësimit, fondi i veçantë për grante për OJQ, fermerë e ndërmarrës të ri nga komunitete joshumicë, dhe masat e punësimit për 2000 banorë të katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit”, shkruhet në komunikatën për medie.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti e falënderoi zëvendës ndihmës Sekretaren Chulick për vizitën, takimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës.

Derisa, zëvendëskryeministrja Rexhepi nënvizoi se Kosova është shtet multietnik dhe qeveria po angazhohet që të fuqizojë komunitetet joshumicë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat