Kryeministri Kurti e takon përfaqësuesen amerikane: Kosova shtet i të gjithëve

Aktuale

Kryeministri Kurti e takon përfaqësuesen amerikane: Kosova shtet i të gjithëve

Nga: H.O. Më: 20 maj 2024 Në ora: 20:18
Pamje nga takimi

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar për një takim që ka pasur sot me përfaqësuesen nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Zëvendës Ndihmës Sekretaren nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick.

Kurti thotë se bashkë me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi, e kanë njoftuar përfaqësuesen amerikane me reformat sociale, duke përfshirë edhe rritjen e punësimit me mbi 20% në tre vitet e fundit.

Kurti ndër të tjera thotë se Kosova është shtet i të gjithëve dhe me mbështetjen e partnerëve dhe aleatëve po rritemi si shtet i së drejtës.

Postimi i plotë:

Pas vizitës së nënsekretares Allen, sot e mirëpritëm një tjetër përfaqësuese nga Departamenti i Shtetit Amerikan, Zëvendës Ndihmës Sekretaren nga byroja për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Punë, Nicole Chulick, që po ashtu ndodhet në vizitën e saj të parë në vendin tonë.

Bashkë dhe me zëvendëskryeministren e tretë për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, e njoftuam znj. Chulick me reformat sociale në Kosovë, duke përfshirë rritjen e punësimit për mbi 20% në tre vitet e fundit, por edhe përkrahjen e theksuar për komunitetet joshumicë përmes programeve e politikave qeveritare.

Republika e Kosovës është shtet i të gjithëve e për të gjithë, që udhëhiqet nga parimi se ligji është mbi politikën.

Me mbështetjen e partnerëve e aleatëve tanë, po rritemi, fuqizohemi e ndërtojmë një shtet të së drejtës, demokratik e progresist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat