Lajçaku caktoi kushte për çështjen e dinarit, në pikëpyetje takimi tjetër

Aktuale

Lajçaku caktoi kushte për çështjen e dinarit, në pikëpyetje takimi tjetër

Më: 20 maj 2024 Në ora: 21:16
Lajcak- Bislimi- Petkoviq

Me 15 maj në Bruksel, u zhvillua takimi i shtatë më radhë mes Kosovës e Serbisë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit. Ky takim që u tha se është i fundit, sipas ndërmjetësit evropian, mund të ndodh tjetri vetëm nëse ka paraprakisht zotim për marrëveshje.

Shtatë raunde u mbajtën, por në asnjërën dakordim nuk pati.

I dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak  ka bërë të qartë se takim tjetër mes palëve për çështjen e dinarit, do të ketë vetëm nëse palët kanë vullnet për marrëveshje.

“Gjatë javës së kaluar kam pritur edhe kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për atë që e shoh si raundin final të diskutimeve për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës. Fatkeqësisht, nuk është arritur asnjë marrëveshje dhe është e paqartë se si kjo do të ndikojë në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë. Unë mbetem i gatshëm të pres një takim tjetër për këtë temë, me kusht që palët të tregojnë gatishmëri të vërtetë për të arritur një marrëveshje,” ka thënë, i dërguari i BE-së për çështjen e dialogut, Miroslav Lajçak.

Lidhur me këtë çështje nga zyra e zv/kryeministrit Besnik Bislimi, gjatë ditës nuk kanë dhënë një përgjigje.

Derisa zyra e Bislimit hesht, ish-diplomati Blerim Canaj, kritikon Qeverinë e Kosovës që dinarin e bëri temë në tavolinën e Brukselit.

“Kjo është një paralajmërim se kjo mund të jetë puna e fundit e Lajçakut pasi që nga qershori merr pozicion tjetër dhe fare lehtë mund të ndodhë se pas emërimit të një ndërmjetësi tjetër, çështja e dinarit do të vazhdojë të jetë në tavolinën e diskutimeve, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”, tha për TV Dukagjinin Blerim Canaj, ish-diplomat.

Mosarritja e një ujdie, ka bërë që Brukseli zyrtar të zmbrapset, vlerëson analisti politik, Artan Muhaxheri.

“Në shtatë takimet për dinarin palët nuk kanë pas vullnet që të gjejnë një kompromis për të arritur një marrëveshje ose ndonjë kompromis dhe BE nuk ka resurse për të humbur më loja naive të politikanëve kosovarë, nuk kanë as kohë as energji,” u shpreh analisti, Artan Muhaxhiri.

Në takimin e 15 majit që ishte i shtati më radhë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për rregulloren e Bankës Qendrore, e cila parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave në Republikën e Kosovës, palët qëndruan gati tetë orë në diskutim,  por pa një rezultat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat