Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dëshmon në rastin Thaçi dhe të tjerët, identifikon një pjesëtar të UÇK-së

Aktuale

Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dëshmon në rastin Thaçi dhe të tjerët, identifikon një pjesëtar të UÇK-së

Më: 21 maj 2024 Në ora: 08:00 Përditësuar në ora: 13:46 më 21.05.2024
Dietrich Klaus-Jensch

Dëshmitari Klaus Jensch: Kemi kapur persona që kishin veshur uniforma me flamuj gjerman dhe që plaçkitnin

Oficeri i ushtrisë Federale të Gjermanisë, Dietrich Klaus Jensch tha se gjatë kohës që ishte me mision në kuadër të KFOR-it në Kosovë kanë kapur persona që kanë veshur uniforma me flamuj të Gjermanisë e që kryenin vjedhje.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit përmes avokates Nina Tavakoli dëshmitari tha se këtyre personave iu kanë thënë që t’i hiqnin të paktën flamujt e Gjermanisë. Sipas tij, kishte persona që vinin nga Shqipëria për të kryer vjedhje.

“Të paktën me kujtohen dy incidente që kemi arrestuar persona që po vidhnin dhe grabisnin dhe mbajë mend që ata të kenë thënë që kishin ardhur nga Shqipëria…

Shpeshherë ka ndodhur që ne t’i kemi kapur personat që kishin veshur uniforma gjermane me flamurin gjerman dhe iu kemi kërkuar atyre që të paktën të i hiqnin flamujt gjerman në mënyrë të tillë që ata të mos identifikoheshin më si anëtarë të ushtrisë”, tha dëshmitari.

Po ashtu ai pohoi se para tërheqjes së trupave serbe dhe pas kthimit të refugjatëve kosovar në Kosovë kishte veprime hakmarrëse.

“Po kam parë dhe kam qenë dëshmitari i disa prej tyre edhe vetë”, tha ai.

Ai tha se kishte parë disa zjarrëvenie sa ishte në Kosovë e shumë prej tyre i kishte parë nëpërmjet televizionit pasi ishte kthyer në Gjermani.

Tutje, dëshmitari Klaus Jensch pohoi se veprimet e plaçkitjes janë kryer edhe nga ushtarët e ushtrisë jugosllave.

“Ka pasur veprime plaçkitje, me kujtohet një skenë ku përfshiheshin ushtarët e ushtrisë ish-jugosllave që po qëllonin me të shtëna në ajër dhe një komandant major gjerman i cili dinte pak gjuhën vendore dhe arriti që të qetësojë pak situatën. Pra, kishte një përballje në mes pjesës shqiptare të popullsisë dhe forcave jugosllave që po largoheshin”, tha ai.

Ndërsa, për rastin në godinën MUP-it në Prizren, dëshmitari tha se pasi dy prej të ndalurve ishin shkuar në shkollën e manastirit në Prizren ku mbaheshin refugjatët kishin deklaruar se kanë parë dy persona të cilët i kishin rrahur.

“Rreth orës 15:00 dy personave që jetojnë aktualisht në shkollën e Manastirin në Prizren kanë njohur Sami Rexhepin dhe komandantin e UÇK-së Nezir Kryezin përmes dritares dhe kanë thënë se janë rrahur në mënyrë të përsëritur dhe janë keqtrajtuar nga ata kur janë mbajtur në ish-ndërtesën e MUP-it”, tha ai.

Oficeri i Ushtrisë Federale të Gjermanisë fillon dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 63-të i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Dietrich Klaus-Jensch, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për dëshmitarin i ka filluar prokurorja Sarah Clanton.

Sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja, u tha se Klaus-Jensch kishte drejtuar operacionin për të hyrë në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren për lirimin e të burgosurve dhe çarmatosjen e anëtarëve të UÇK-së.

“Dëshmitari 02540 u disklutua në Kosovë në qershor të ’99-ës si komandant i forcave gjermane që ishte pjesë e kontingjentit të KFOR-it. Dëshmitari me numër 02540 dhe njësiti i tij ishin të vendosur në Prizren dhe ndër detyrat e tyre ishte patrullimi dhe të trajtonin aspektet e sigurisë të cilat po i përjetonte popullata atje. Dëshmitari me numër 02540 ka qenë i pranishëm atje kur u bastisën ambientet që përdorte UÇK-ja. Në veçanti, më 18 qershor të 1999-ës ka qenë i pranishëm në ish-ndërtesën e MUP-it në Prizren, ku drejtoi një operacion për të hyrë në ndërtesë, për të liruar personat e ndaluar dhe për të çarmatosur anëtarët e UÇK-së që ishin të pranishëm, tha Clanton.

Prokurorja tha se dëshmiari pa persona të plagosur atje dhe kërkoi mbështetje mjekësore nga njësitet e KFOR-it, të cilët ofruan ndihmë për të lënduarit.

Dëshmitari tha se aktualisht është oficer i Ushtrisë Federale të Gjermanisë dhe mban pozitën si kolonel-lejtnant. Ndërsa, më 1999-ën, ai tha se ka qenë major.

Po ashtu, Klaus-Jensch pohoi se ka dhënë deklaratë edhe për ish-Tribunalin për Jugosllavinë, ndërsa sipas prokurores, kjo deklaratë mban datën 30 tetor 2001.

Atij iu prezantuan disa fotografi në të cilat bëri identifikime, e që në njërën prej tyre tha se ishte një pjesëtar i UÇK-së.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth tetë orë e që dy prej tyre janë parashikuar për përfaqësuesit e ZPS-së dhe gjashtë orë të tjera për ekipet mbrojtëse.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme pritet të dëshmoi dëshmitari i radhës.

Kurse në seancën e 7 majit  në çështjen gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së është vendosur që të mos dëgjohet dëshmitari me kodin 02486, dëshmia e të cilit ishte planifikuar që të dëgjohet përmes video-lidhjes gjatë të premtes më 10 maj 2024.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmitë e këtij dëshmitari të dhëna më herët i plotësojnë kushtet që të pranohen si prova pa qenë nevoja që ai të dëshmojë serish fizikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat