IPK rekomandon suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës

Aktuale

IPK rekomandon suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës

Më: 21 maj 2024 Në ora: 20:14
IPK

Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore, për dy raste të ndryshme i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tre punonjësve të Policisë së Kosovës.

Në njoftim thuhet se rasti i parë është raportuar të ketë ndodhur në Stacionin Policor të Fushë Kosovës ku hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar suspendimin e një punonjësi të PK-së (staf civil – pa autorizime policore) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se stafi civil gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare kishte hyrë në bazën e të dhënave të Policisë së Kosovës dhe kishte bërë verifikimin e një personi që dyshohet se kishte kryer dhunë në familje”.

Tutje, thuhet se rasti për të cilin kishte kërkuar zyrtari nuk kishte ndodhur në territorin ku kompetent ishte stacioni policor i Fushë Kosovës.

“Hetuesit e IPK-së dyshojnë se ky zyrtar, pas këtij verifikimi, ju kishte dhënë informacion mediave lidhur më të kaluarën kriminale të dyshuarit për dhunë në familje dhe me këtë veprim dyshohet se ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare””.

Në rastin e dytë IPK ka rekomanduar suspendimin e dy punonjësve të Policisë së Kosovës (një zyrtari policor dhe një stafit civil të PK-së) të cilët kanë qenë duke shërbyer në Stacionin Policor Lipjan.

“Që të dy zyrtarët janë suspenduar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm” pas një mosmarrëveshje që të njëjtit kishin pasur mes njëri tjetrit. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtyre dy rasteve”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat