Kurti kujton Masakrën e Stagovës: Drejtësia për të vrarët nga Serbia, detyrim ndaj paqes e brezave që do vijnë

Aktuale

Kurti kujton Masakrën e Stagovës: Drejtësia për të vrarët nga Serbia, detyrim ndaj paqes e brezave që do vijnë

Më: 22 maj 2024 Në ora: 00:20
Albin Kurti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, e ka kujtuar 25-vjetorin e masakrës mbi civilët në Stagovë të Kaçanikut.

Kurti tha se më 21 maj 1999, Stagova u rrethua në të gjitha anët nga forcat e armatosura serbe, ku pas sulmeve të fuqishme me granata dhe armë të rënda, në fshat hyri këmbësoria, që vazhdoi me vrasje dhe djegie.

“Atë ditë u vranë mizorisht 13 civilë të pafajshëm. E vranë edhe Fitimin, që më 6 qershor do të mbushte 7 vjet, si dhe nënën Hanife, 94 vjeҫare”.

“Në këtë 25 vjetor kujtojmë martirët: Bahrije Elezi (56 vjeҫe), Baki Bela (72 vjeҫ), Brahim Dashi (31 vjeҫ), Fahri Mani (56 vjeҫ), Fitim Gudaqi (6 vjeҫ), Hamdi Dashi (53 vjeҫ), Hanife Jaha (94 vjeҫe), Hanife Gudaqi (77 vjeҫe), Ibush Rrushi (59 vjeҫ), Ramush Jaha (75 vjeҫ), Ramadan Dashi (58 vjeҫ), Selvije Krivanjeva (89 vjeҫe) dhe  Sevdije Guri (54 vjeҫe). Sot kujtojmë edhe dëshmorët: Ekrem Gudaqi e Kemal Thaqi”, shkroi Kurti.

Më tej, ai tha se drejtësia për të gjithë të vrarët nga Serbia gjatë luftës në Kosovë, është detyrim ndaj kujtimit të tyre, ndaj paqes dhe brezave që do të vijnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat