Investigimi i “The Times”, si Putini po e kthen Serbinë në një Rusi të vogël në Ballkan

Aktuale

Investigimi i “The Times”, si Putini po e kthen Serbinë në një Rusi të vogël në Ballkan

Më: 22 maj 2024 Në ora: 00:37
Aleksander Vuçiq dhe Vladimir Putin

Rusia po punon me Serbinë në fushatën e dezinformimit dhe sulmeve kibernetike kundër vendeve të Ballkanit që mbështesin Ukrainën.

Këtë deklaratë e thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për median britanike “The Times”. Shefi i qeverisë në Prishtinë thotë se Kremlini po përdor lidhjet me Beogradin për të rritur tensionet në vendet e ish Jugosllavisë.

“Në Ballkan ne kemi Rusinë e vogël, që është Serbia. Kur rusët nisën luftën në Ukrainë, Serbia menjëherë u rreshtua me ta. Mëngjesin tjetër, tabloidët serbë pretendonin se Ukraina ka sulmuar Rusinë. Ata po tregojnë mbështetjen e tyre me flamuj të Rusisë dhe shenjën Z, e cila është shfaqur edhe në veriun e Kosovës”, deklaroi Kurti.

“The Times” shkruan për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës dhe incidentin më serioz të viteve të fundit, sulmin në Banjskë të kryer nga 30 persona të armatosur që hynë nga Serbia të pajisur me armë të rënda.

“Dezinformatat janë fronti i dytë”, shkruan media britanike, duke shtuar se portalet në gjuhën serbe i raportojnë zhvillimet në veriun e Kosovës si të provokuara nga qeveria në Prishtinë.

Kurti beson se qëllimi i sulmit në Banjskë ishte që sulmin ndaj policisë të pasqyronte në arenën ndërkombëtare si një agresion fetar të qeverisë së Kosovës.

“The Times” sjell në vëmendje investigimin e BIRN që zbuloi se Rusia ka ndërtuar një rrjet biznesmenësh, politikanësh dhe mediash në Ballkan që prej nisjes së luftës në Ukrainë.

“Kremlini tani po përdor dezinformatat në Ballkan, jo vetëm për të destabilizuar demokracitë e brishta të rajonit, por edhe për të bërë krahasime false mes luftës në Ukrainë dhe bombardimit nga NATO të Beogradit në 1999 për të ndaluar luftën në Kosovë”, thekson më tej media britanike.

Lufta kibernetike është një tjetër shqetësim, thotë Kurti. Disa ditë më parë, hakerat rusë sulmuan uebsajtet e institucioneve në Kosovë, përfshirë të kryeministrisë dhe presidencës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat