Komercialja refuzoi kërkesën e KEDS-it, kompensimi nis nga 1 qershori

Aktuale

Komercialja refuzoi kërkesën e KEDS-it, kompensimi nis nga 1 qershori

Më: 22 maj 2024 Në ora: 01:01
KEDS

Me gjithë rezistencën dhe përpjekjet kundërshtuese, KEDS-i është i detyruar që nga muaji i ardhshëm ta nisë kompensimin e konsumatorëve për faturat e fryra, si mbulesë për katër komunat në veri në periudhën 2012-2017.

Gjykata Komerciale refuzoi kërkesën e kësaj kompanie për masë të përkohshme ndaj vendimit të ZRRE-së, për zbatim të aktgjykimit të Kushtetueses.

“Departamenti për Çështje Administrative, më 17.05.2024 me aktvendim e ka refuzuar në tërësi si të pabazuar kërkesën e paditësit Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike Sh.A (KEDS) me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të datës 05.04.2024 deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar me padi”, thuhet në përgjigjen nga Gjykata Komerciale.

Aktvendimi i Komerciales mundëson nisjen e procesit të shpagimit.

“KEDS është i obliguar ta zbatojë vendimin e Bordit të ZRRE-së [V_1929_2024], për kompensimin e konsumatorëve në baza mujore, për periudhën nga 1 Qershori 2024 – 28 Shkurt 2030”, thuhet në përgjigjen nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Padinë e Kompanisë për Distribuim të Energjisë, me kërkesë anulimin e vendimit të ZRRE-së për zbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, gazetari Zekirja Shabani e vlerësoi absurde dhe me qëllim zvarritjen e procesit.

Më 11 Mars, Gjykata Kushtetuese konfirmoi aktgjykimin e Supremes, i cili e obligon Rregullatorin të detyrojë KEDS-in t’i kompensojë konsumatorët nga 34 komuna për dëmin në vlerë të përgjithshme 40.8 milionë euro.

Më 7 Maj, kompania, e cila sipas aktgjykimit të vërtetuar në të gjitha shkallët u pasurua jashtëligjshëm për pesë vjet, parashtroi padi në Gjykatën Komerciale kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat