Dëshmon zyrtari i KFOR-it, tregon se kush i mbante uniformat e zeza në UÇK

Aktuale

Dëshmon zyrtari i KFOR-it, tregon se kush i mbante uniformat e zeza në UÇK

Më: 22 maj 2024 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 11:13 më 22.05.2024
Johan Fritsch

Zyrtari i KFOR-it: Uniformat e zeza i mbante policia ushtarake

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë e tij, dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch në gjykimin ndaj ish-krërëve të UÇK-së,  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në fillim të seancës, dëshmitari është marrë në pyete nga prokurorja Vega Iodice, e cila u fokusua në uniformat anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë periudhës sa KFOR-i ishte me mision në Prizren nga 13-14 qershorit 1999.

Dëshmitarit iu prezantua një video në të cilën thuhej se dukej një person me uniforma të zeza për të cilat ka thënë se relativisht shpesh ka parë veshje të tilla.

Dëshmitari Fritsch ka theksuar se nuk është i sigurt se cilat formacione i përdornin këto uniforma, por që mendon se i përdorte policia ushtarake e UÇK-së.

Sipas tij, kishte përzierje të uniformave dhe nuk ishin të gjithë anëtarët e njëjtë që përdornin uniforma të njëjta.

“Po, kishte përzierje të ndryshme të uniformave të pjesshme.

Kishte persona që ishin të veshur me të zeza, disa kishin të veshur me lara-lara, disa ishin të veshur me uniforma të përziera e të tjerë.

Megjithatë, pjesa më e madhe e tyre kishin një shenjë dalluese e që ishe shqiponja e zezë”, ka deklaruar Fritsch.

Ai ka thënë se gjatë kohës që kanë qenë me mision në Prizren, në ditët e para kanë parë patrullime të UÇK-së në rrugë.

Oficeri i KFOR-it ka deklaruar se patrullimi i UÇK-së në rrugët e Prizrenit ishte për shkak se këta të fundit donin të mbushnin vakumin që ishte krijuar pasi që ushtria jugosllave ishte në largim dhe KFOR-i ishte në ardhje.

Pasi i përfundoi pyetjet Prokuroria, ka vazhduar mbrojtja e Thaçit më pyetje përmes avokates Nina Tavakoli.

---

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e sotme pritet të dëshmoi dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar Johan Fritsch, i cili ka filluar dëshmonë të martën në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për atë i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Vega Iodice.

Dëshmitari ka theksuar dje se pjesët e ditarit të tij i kishte shkruar çdo mbrëmje dhe ishin të vërteta ato se çfarë përmbante ai.

Dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi që sipas dëshmitarit paraqiteshin lëndimet e personave që ishin gjetur si të ndaluar në godinën e MUP-it e cila ishte nën zotërimin e UÇK-së, disa ishin nga ndërhyrjet në ndërtesën e MUP-it ku ishe gjetur edhe personi i vdekur.

Ai ka thënë se kishin dokumentuar edhe mjete të torturimit të cilat ishin përdorur nga MUP-i dhe UÇK-ja më pas në këtë ndërtesë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat