Çështja e Ballkanit Perëndimor është kthyer në një “thembër të Akilit” për sigurinë e Evropës

Aktuale

Çështja e Ballkanit Perëndimor është kthyer në një “thembër të Akilit” për sigurinë e Evropës

Më: 22 maj 2024 Në ora: 18:10
Xhavit Shala

Xhavit Shala, ekspert i sigurisë në Shqipëri, ka komentuar “mesazhet” që Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron, i përcolli gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Këtë vizitë, Shala e ka cilësuar si të suksesshme dhe të rëndësishme në disa plane.

“Do ta vlerësoja si një vizitë të suksesshme, një vizitë të rëndësishme duke e parë në disa plane, e para në planin gjithëkombëtar të Shqipërisë dhe Kosovës, kjo ka një rëndësi të veçantë pasi Britania shprehet e gatshme që të financojë një projekt gjithë shqiptar siç është projekti i hekurudhës, Durrës-Prishtinë, por është edhe një projekt në aspektin ushtarak pasi do të lidhë portin ushtarak të Durrësit deri në Prishtinë. Në aspektin brenda Shqipërisë ka një mbështetje të fuqishme nga ana e britanikëve, këtu bëhet fjalë për mbështetjen në fushën e gjyqësorit…”, u shpreh ai.

Shala ka thënë se çështja e Ballkanit Perëndimor është kthyer në një thembër të Akilit për sigurinë e Evropës.

“Cameron e tha në ligjëratë të drejtë, një Ballkan pa kriza i bie të ndikojë në sigurinë e Evropës, dhe anasjelltas pra një Ballkan me problematike do të ketë probleme vetë Evropa. Cështja e Ballkanit është kthyer në një thembër të Akilit për sigurinë e Evropës, duke pasur parasysh zhvillimet në Ukrainë por edhe interesin e vazhdueshëm të Rusisë për ndikim në Ballkan. Rusia në aspektin e luftës hibride është shumë prezent sidomos në fushatat dezinformuese që ajo ndërmerr, këto po bëjnë kërcënim jo vetëm në Ballkan por edhe në këto prag zgjedhjesh ne Parlamentin Evropian”, shtoi më tej ai.

Ai potencoi se britanikët janë të gatshëm që të investojnë në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

“Duket se Britania ka filluar të ri pozicionohet dhe të rikthehet në Ballkanin Perëndimor. Sa i përket krizës në Kosovë, mos të harrojmë që acarimi i disa muajve deri te agresioni në Banjskë ngjalli reagime edhe britanikët të cilët u treguan menjëherë të gatshëm dhe forcuan kontingjentet e tyre në Kosovë”.

Shala thekson se një prezencë britanike më e fuqishme në rajon është një siguri më e madhe edhe për Kosovën por edhe për rajonin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat