​24 orë pa vetëdije, të mbijetuarit tregojnë tmerrin e masakrës në Dubravë

Aktuale

​24 orë pa vetëdije, të mbijetuarit tregojnë tmerrin e masakrës në Dubravë

Më: 22 maj 2024 Në ora: 19:11
Foto ilustrim

Masakra e burgut në Dubravë nga regjimi i kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq është përkujtuar 25 vjet më pas nga të mbijetuarit si dëshmi e gjallë torturës së tmerrit të ushtruar ndaj shqiptarëve asokohe.

Të mbijetuarit e masakrës ndjejnë dhimbje të madhe për humbjen e jetëve të mbi 160 personave dhe plagosjen më shumë se 300 shqiptarëve të tjerë.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i mbijetuari i masakrës Bedri Kukalaj tregon tmerrin e përjetuar përgjatë tre ditëve të majit të vitit 1999.

Për të kujtimet e atyre ditëve vazhdojnë të jenë të freskëta e ngulitura thellë në mendjen e tij. Ai thotë se rikthimi i tij nga "vdekja" dhe sfidat të cilat kaloi pas masakrës, e kanë bërë ende më të fortë.

Kukalaj: 24 orë isha pa vetëdije

"Më 22 maj, prej pikës së vrojtimit, ka dalë gardiani, ka thënë: A është gjithçka në rregull? Dhe ai ka dhënë urdhër të tjerëve që të na gjuanin me bomba dore. Qielli është bërë zi si futa prej bombës së dorës. Aty ka filluar ekzekutimi ynë. Unë në atë minutë jam plagosur dhe për një ditë nuk kam mundur të di se çfarë ka ndodhur aty hiç. Jam plagosur në kokë, bark dhe këmbë dhe kam mbetur si i vdekur. Tërë ditën e gjatë kishte pa vazhduar ajo vrasje. Më 23-tin ka ardhur urdhri që është kryer misioni dhe mund të shkoni t’i vizitoni ata çka janë vrarë, t’i identifikoni sa veta kanë vdekur. Kanë dalë të burgosurit shqiptarë të na kërkojnë. Kanë qenë disa prej tyre, kanë filluar duke ardhur për t’i shkruar emrat edhe t’i grumbullojnë të vrarët. Edhe aty e kanë pa që jam ende gjallë... Pastaj mua më kanë transferuar për Serbi”, ka thënë Kukalaj.

Kukalaj me plot emocione kujton tmerret e tjera të përjetuara nga serbët.

Kukalaj: Shokët më thërrasin ku je ti i “vdekuri”

“Tri herë më është dashtë ta kryej operacionin e njëjtë se si kam ardhur në burg më kanë shkatërruar prej maltretimeve duke më rrahur shqelma, çdo lloj shufre dhe gjithë operacioni është shkatërruar. Sot me të gjithë që u takova ma bëjnë ku je ti i vdekuri që jam plagos më datën 22, ora 6 të mëngjesit dhe jam ndje gjallë më 23 në ora 12 ose një. Ajo ka qenë punë e Zotit dhe ndihma e kolegëve”, ka thënë ai.

I mbijetuari tjetër i masakrës Bajrush Xhemaili tregon se së bashku me të burgosurit e tjerë është bërë i mundur tërheqja zvarrë e mbi 100 të plagosurve në mënyrë të shpëtimit të tyre, pavarësisht që ata duhej të kalonin nëpërmjet gjuajtjeve me snajper nga kulla vrojtuese.

Xhemaili: Kemi bartur 109 të plagosur zvarrë, serbët na gjuanin snajper

“Më 22 maj ka ndodhur një tmerr i paparë në burgje, nuk e di nëse ka ndodhur ndokund një plojë e tanë në këtë fushë këtu prej pikës vrojtuese atje me breshëri, rreshti që ka qenë për katër që na kanë thënë të bëhemi rresht, domethënë janë vrarë rreth 60-70 vetë në këtë fushë dhe janë plagosur shumë të tjerë. Pas kësaj jemi munduar të fshihemi, më vonë jemi organizuar në mënyrën tonë si kemi mundur dhe i kemi marrë të plagosurit rend që kanë qenë 109 prej tyre dhe i kemi dërguar në pavijonin C sikurse është quajtur përpara, ai ka qenë i shkatërruar përpara prej bombardimeve”, ka thënë Xhemaili.

Ai kujton me dhimbje mënyrën se si ka arritur të shpëtojë, por të njëjtin fat nuk e patën edhe shumë të burgosur të tjerë politikë.

Xhemaili: Jemi përpjekur të shpëtojmë sa më shumë shqiptarë

“Unë nuk kam qenë i lënduar, ka qenë njëri pranë meje i lënduar shumë rëndë i plagosur Xhelal Zanziba, por kam shpëtuar...Unë kam rënë pak më poshtë që jam mundu mos me na kap prej pikës vrojtuese, prej mitralozit, automatit, të gjitha këto që kanë gjuajtur dhe pastaj ngadalë kemi shkuar atje dhe kemi planifikuar disa çka kemi guxuar të shkojmë deri atje, se ka qenë shumë rrezik se kanë gjuajtur me snajperë dhe ishte shumë rrezik me i tërheq trupat zvarrë dhe e i dërguam atje. Tërë ditën kemi bartur 109 të plagosur dhe kryesorja jemi munduar të shpëtojmë sa më shumë jetë”, ka thënë Xhemajli.

Për të mbijetuarin tjetër Sadik Zeqirin data 22 maj përshkruhet si më e rënda, ku serbët nuk kanë kursyer asgjë, duke hedhur mbi ta bomba dhe duke shtënë me mitraloz.

Zeqiri: Serbët na kanë gjuajtur pranë mureve me bomba, mitraloz, automatik

“Më 22 maj kemi qenë të rreshtuar, sepse na kanë thirrur me magnetofon nga pika vrojtuese të na japin disa njoftime, sepse sipas tyre, nuk ka kushte për të qëndruar dhe për të dëgjuar informacionet nga ta, dhe pasi jemi afruar te muret, ata kanë dalë mbi mure dhe kanë gjuajtur me bomba, mitraloz, automatik, revole kështu që kanë gjetur fatin jo të mirë dhe janë vrarë rreth 80 të burgosur këtu, ndërsa në tërë burgun janë vrarë 119-120 dhe janë plagosur të tjerët. Kjo ka qenë dita më e rëndë që ne si të burgosur dhe tani si të mbijetuar e kemi përjetuar”, ka thënë Zeqiri.

Masakra e burgut në Dubravë është kryer prej 19-24 maj 1999. Aty janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë.Brenda burgut gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e viktimave të kësaj masakre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat