E “harruan” në aksion, Policia thotë se ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in

Aktuale

E “harruan” në aksion, Policia thotë se ka bashkëpunim të mirë me KFOR-in

Më: 22 maj 2024 Në ora: 19:50
Foto ilustrim

Policia e Kosovës të hënën u përfshi në një operacion ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës ku mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimorë të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.

Ky veprim pos që nuk u përqafua nga BE-ja dhe SHBA-të ishte edhe KFOR-i që tha se se u njoftuan pak para fillimit të operacioneve dhe presin që të kenë konsultime paraprake në raste të tilla.

Megjithatë, drejtuesit e Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, flasin për raporte të mira me KFOR-in, por nuk lëshohen në detaje për rastin e fillimjavës.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me KFOR-in dhe me EULEX-in. Në parim shkëmbejmë informacione të rëndësishme njëri me tjetrin. Nuk mund të flas në mënyrë specifike për operacionin që kishim para dy dite përpos asaj që kemi raport shumë të mirë me këto dy institucione”, ka deklaruar Veton Elshani – Zv.Drejtor i Policisë në veri.

KFOR-i, në reagimin e tyre gjatë së martës, thanë se presin që të konsultohen për veprime të Policisë ose të FSK-së, që mund të ndikojnë në sigurinë rajonale.

Për reagimet e shteteve e edhe të vet BE-së që pasuan aksionin, ka folur edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se veprimet e qeverisë duhet të përkrahen edhe nga ndërkombëtarët.

“Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen”, ka thënë Haxhiu.

Ndërsa njohësi i rrethanave të sigurisë në vend, Nuredin Ibishi pavarësisht që kritikon moskoordinimin, rithekson se edhe ndërkombëtaret duhet të kenë kujdes me deklarata.

“Moskordinimi i veprimit është kritikë për institucionet tona por edhe KFOR duhet të jetë i kujdesshëm në kuptim të asaj që nga ky moskoordinim të mos krijoj inkurajim të strukturave ekstremiste që mezi presin mbështetje tjetër qoftë misionare ndërkombëtare, qoftë e sigurisë në Kosovë që me vepru pastaj ata me protesa”, ka deklaruar Ibishi.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë në ditën e aksionit, thuhet se përpos mbylljes së gjashtë njësive ilegale të “Bankës Postare Kursimore”, u konfiskuan edhe prova të ndryshme materiale, duke përfshirë rreth 74 milionë dinar, rreth 1 milion e 600 mijë euro, 19 mijë e 500 franga, e rreth 13 mijë e 800 dollar amerikane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat