Dënohen tre persona për shkak të sjelljes arrogante para Postës serbe në Mitrovicë

Aktuale

Dënohen tre persona për shkak të sjelljes arrogante para Postës serbe në Mitrovicë

Më: 23 maj 2024 Në ora: 11:52
Policia e Kosovës të hënën mbylli të gjitha kursimoret postare serbe në veri

Tre persona janë dënuar për sjellje arrogante në lidhje me ngjarjet para Kursimores së Postës serbe këtë të hënë, ka konfirmuar policia për KoSSev.

Policia e Kosovës të hënën mbylli të gjitha kursimoret postare serbe në veri – gjithsej pesë, si dhe Departamentin e Thesarit në Ministrinë e Financave të Republikës së Serbisë, duke konfiskuar mbi dy milionë euro në valuta të ndryshme, së bashku me dokumentacionin dhe dëbimin e punëtorëve.

Aksioni është kryer së bashku me Shërbimin Tatimor të Kosovës dhe me urdhër të prokurorisë.

Në disa vende ku është realizuar ky aksion kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të EULEX-it dhe të KFOR-it.

Derisa zhvillohej aksioni Policia ka thënë se po kryhet në mënyrë të qetë dhe pa incidente.

Mirëpo, kur e vendosën drynin në derën e kursimores së fundit të Postës së Serbisë që gjendet në Mitrovicën e Veriut – situata në një moment u përshkallëzua dhe ishte në prag të një incidenti.

Gjithçka nisi me zhurmën e qytetarëve, kur drejtori i kësaj banke, Igor Radiq, u përcoll nga banka me një automjet policie.

Procesi i largimit u shënua me një protestë të rreth 20 protestuesve, kryesisht punonjës të Postës së Serbisë si dhe liderë të partisë “Demokracisë Serbe”, të cilët ishin tubuar para këtij institucioni.

Ata kanë tentuar të pengojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës që t’ua marrin drejtorin, ndërsa një pjesë e tyre kanë kërkuar garanci se ai nuk do të arrestohet.

Në fillim, pjesëtarët e njësiteve të rregullta të Policisë së Kosovës, me të cilët është larguar Radiq, u kanë folur me ton të butë qytetarëve që të lirojnë hapësirën, që të kalojë vetura e policisë në të cilën ka hyrë Radiqi.

Mirëpo, në momentin që policia tentoi të pastronte zonën, pati një përleshje, si dhe thirrjet e qytetarëve “Mos më shty”, “Nuk ke të drejtë”, “Represion policor”.

Më pas protestuesve iu drejtua Aleksandar Arsenijeviq, lideri i Demokracisë Serbe, i cili u tha se ka marrë garanci se nuk do të ketë arrestime.

Situata shumë shpejt u qetësua dhe veturat e policisë u larguan nga lokacioni, ndërsa pak më vonë po të njëjtën ditë, zëvendëskomandanti i PK-së për Veri, Veton Elshani, i pyetur për këtë situatë të veçantë tha se nuk ka pasur asnjë incident.

“Dikush ka menduar se ky person nuk duhet të merret, sepse do të arrestohet, por askush nuk mund të ndalojë policinë, zyrtarët që të bëjnë punën e tyre. Nuk ishte incident, ata po flisnin me njerëz, asgjë tjetër. Është pjesë e punës”, ka thënë Elshani të hënën për portalin Kossev.

Megjithatë, tre personat që ishin të pranishëm para bankës atë ditë në momentin e përleshjes janë dënuar për sjellje arrogante, kanë konfirmuar Policia.

“Është kundërvajtje, sipas Ligjit për rendin dhe qetësinë publike në nenin 4. Të treve u janë shqiptuar dënime në polici dhe kanë shkuar në shtëpi. Me të do të shkojë te gjykatësi, e më pas do të vendosë për dënimin – a do të jetë gjobë, sa do të jetë shuma etj.”, ka saktësuar Elshani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat