Hyn në rend dite marrëveshja me Danimarkën për burgjet

Aktuale

Hyn në rend dite marrëveshja me Danimarkën për burgjet

Më: 23 maj 2024 Në ora: 12:13
Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 81 vota për, 1 kundër dhe asnjë abstenim e përfshin në rend dite marrëveshjen me Danimarkën për burgjet.

Edhe kjo marrëveshje me muaj të tërë nuk kishte arritur të kalojë në Kuvend në mungesë të kuorumit.

Kjo marrëveshje herën e kaluar nuk mori votat e mjaftueshme, për t’u kthyer sërish në Qeverinë e Kosovës.

Më pas Qeveria e Kosovës sërish votoi pro kësaj marrëveshje, ndërsa marrëveshjen e votoi sot edhe Komisioni për Legjislacion.

Kjo marrëveshje hyri sot në rend dite në seancën e Kuvendit, ndërkaq pritet t’i marr votat e nevojshme për tu miratuar.

Traktati, i nënshkruar nga Ministrat e Drejtësisë të të dy vendeve më 26 prill 2022 në Prishtinë dhe më 16 maj 2022 në Kopenhagë, synon të përmirësojë kapacitetet dhe bashkëpunimin në fushën e drejtësisë midis Kosovës dhe Danimarkës.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Danimarkës thuhet se Qeveria e Kosovës do t’i ofroj Mbretërisë së Danimarkës, kapacitetet e burgut, gjegjësisht institucionit korrektues që gjendet në Gjilan për 300 të burgosur, për qëllimin e ekzekutimit të dënimeve daneze dhe do të bëjë rregullimet e nevojshme për çdo lehtësi për të siguruar që ai është në përputhje me ligjet dhe standardet daneze.

“Qeveria e Danimarkës synon të paguajë një tarifë vjetore për përdorimin e një burgu prej 15,000,000 euro në varësi të numrit të të burgosurve për të cilin objekti është bërë i përshtatshëm në përputhje me rregullat dhe rregulloret daneze, me një tarifë të reduktuar për 12 muajt e parë të vitit përdorimi i burgut si periudhë tranzicioni.

Qeveria e Danimarkës synon gjithashtu të paguaj një tarifë fillestare prej 5,000,000 euro për të mbuluar periudhën e tranzicionit derisa burgu të jetë përfunduar dhe plotësuar me personel. Këto tarifa do të mbulojnë të gjitha kostot që lidhen me një marrëveshje të tillë”, thuhet në marrëveshjen mes dy shteteve. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat