​Dëmet nga lajmet e paverifikuara, zyrtarët e drejtësisë në punëtori theksojnë pasojat në hetime

Aktuale

​Dëmet nga lajmet e paverifikuara, zyrtarët e drejtësisë në punëtori theksojnë pasojat në hetime

Më: 23 maj 2024 Në ora: 14:45
Takimi i zyrtareve

Publikimi i lajmeve të pakonfirmuara ka shkaktuar dëm të madh tek viktimat dhe në vet procesin e hetimeve. Kështu u tha në punëtorinë "Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë", ku po marrin pjesë rreth 30 zyrtarë për informim nga sistemi prokurorial e gjyqësor në Kosovë.

Kjo punëtori po organizohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), ku pjesëmarrësit janë zyrtarët për informim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të gjitha prokurorive themelore, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave në vend.

Në ditën e dytë të punëtorisë po vijohet me sesionet, ku po diskutohet për komunikimin me median dhe publikun në epokën digjitale.

Udhëheqësja e Zyrës për Informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu theksoi nevojën për numër më të madh të stafit në fushën e komunikimit.

"Ne vazhdojmë të jemi nga një person në zyrat për informim që paraqet një sfidë te veçantë në mundësinë për të transmetuar sa më shumë informacion, për të informuar sa më shumë publikun për zhvillimet në gjyqësor, për aktgjykimet. Kështu që kjo është sfida kryesore aktuale. Përndryshe nga viti në vit transparenca po shkon duke u rritur. Numër shumë i madh i aktgjykimeve publikohen çdo ditë. Nëse nuk gaboj tani i kemi mbi 150 mijë aktgjykime të publikuara në uebfaqe", deklaroi Uka-Lutfiu.

Ajo përmend edhe rastet e publikimit të lajmeve pa konfirmimin e zëdhënësve të gjykatave, për çka konsideron se është gabimi themelor.

"Kemi një numër të madh të portaleve që shkojnë më shumë me gazetarinë copy-paste edhe që nuk i njohin mirë ligjet dhe nuk e njohin dëmin që mund të shkaktojnë në publik apo në hetim të rasteve. Dhe në këtë aspekt mendoj që kishte qenë nevojë urgjente që të rregullohet kjo fushë sepse ka raste që janë dëmtuar hetimet, kur është shkaktuar dëm i madh tek viktimat. Ideja e plasimit të një lajmi pa konfirmimin prej personave kompetent, në këtë rast prej zëdhënësve të gjykatave, është gabimi themelor qe bëhet në transmetim të lajmit në publik", shtoi ajo.

E përgjegjësi për komunikim publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Bedri Gashi tha se ka sfida në realizimin e niveleve të komunikimit.

"Jemi avokatë të institucionit tonë, avokojmë për punët, veprimtaritë dhe detyrat që kemi kompetencë në detyrat që na përshkruan dhe njëkohësisht mundohemi vazhdimisht që ta rrisim nivelin e bashkëpunimit me mediat, shoqërinë civile dhe të tjerat, palët qe janë të interesuara të bashkëpunojnë me neve. Ne kryejmë një mision të dyfishtë si komunitet, për shkak se avokojmë edhe për mediat brenda institucionit, pra është një mision i dyfishtë. Për të cilin kemi diskutuar edhe sot në sesionet e ditës së sytë të punëtorisë. Me Ligjin e ri të Pagave por edhe me rregullore të brendshme të sistemit prokurorial mendojmë se duhet të arrihet shpërblimi karshi punës së tyre që bëjnë sepse mendoj që për tu krijuar një zyrtar për komunikim publik me përvojën e tij dhe me gjithë shtrirjen e tij në publik duhet të kalojë një periudhë kohore edhe nuk krijohen lehte shërbyesit e komunikimit publik, ata duhen ruajtur në sistem , theksoi ai.

Punëtoria e cila po mbahet në Durrës po vijon sesionet, ku do të diskutohet edhe për menaxhimin e komunikimit ndërinstitucional me publikun në situata krizash.

Kjo punëtori me temën "Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë", po mbahet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat