A e përkrah Agim Veliu iniciativën e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit, flet deputeti i LDK-së

Aktuale

A e përkrah Agim Veliu iniciativën e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit, flet deputeti i LDK-së

Më: 23 maj 2024 Në ora: 17:04
Agim Veliu

Thirrjes së javëve të fundit të Partisë Demokratike të Kosovës, e përkrahur edhe nga vetë Kryeministri i vendit, Albin Kurti, për shpërndaje të Kuvendit të Kosovës për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme nuk i janë përgjigjur pozitivisht Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Në deklaratën e saj zyrtare, LDK-ja ka konsideruar se fillimisht duhet të ketë dorëheqje të Kryeministrit Kurti, e më pas të ndodhë shpërndarja e Kuvendit. Siç edhe kishin thënë “Kurti po e sheh opozitën si shpëtim individual”.

Por, pavarësisht qëndrimit të partisë së dytë opozitare në vend se nuk pranojnë “këtë instrumetalizim në asnjë rrethanë”, deputeti i kësaj partie, Agim Veliu në një bisedë telefonike s’pati përgjigje për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje.

Veliu kur u pyet nëse do ta përkrahte nismën për shpërndarje të Kuvendit, deputeti i LDK-së u përgjigj shkurt: “Nuk kam përgjigje” – duke e ndërprerë tutje linjën telefoniken.

Për shpërndarjen e Kuvendit, ditë më parë, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, tha se 30 maji është data e fundit që Kuvendi të shpërndahet, derisa ka përmendur dy data për zgjedhje të parakohshme, 30 qershorin dhe 7 korrikun.

Por, me këtë “opsion”, nuk janë pajtuar as nga AAK-ja.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte thënë se partia e tij do e mbështeste shpërndarjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit.

Derisa, nga VV kanë kërkuar që opozita të ketë unitet, dhe padyshim një nismë e tillë do të mbështetet edhe nga ta.

Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza-Kusari Lila ka thënë se për një gjë të tillë nuk ka pasur kërkesë zyrtare, dhe se vetëm nga një parti që i ka 18 deputetë – duke ju referuar PDK’së, nuk mund të bëhet.

“Jemi deklaruar si pozitë që në rast se ka unitet në grupet paralmentare të opozitës për shpërndarje ne e mbështesim. E kemi thënë që skemi frikë nga shkuarja në zgjedhje, por smund ta bëjmë këtë vetëm me njërin grup parlamentar, duhet të ketë unitet. Konsiderojmë që kjo qeveri i ka plotësuar kushtet për një mandat të plotë. Nuk ka kuptim të mbështet vetëm një grup opozitar”, kishte thënë Kusari-Lila.

Se pushteti është gati për zgjedhje, e kishte thënë Kurti dy javë më parë, por që sipas tij “opozita duhet të jetë gati”.

“Opozita duhet të bëhet gati- ne jemi gjithmonë gati. Përndryshe, nëse ata janë rehat, na shkon mandati deri në fund. Për mua ka qenë e rëndësishme të diskutohet agjenda legjislative sepse kemi shumë marrëveshje ndërkombëtare”, kishte deklaruar Kurti.

Për shpërndarjen e një legjislature në Kuvend nevojiten 2/3 e votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat