Mesazhet e tre ambasadorëve Hovenier, Rohde dhe Guerot për Qeverinë e Kosovës

Aktuale

Mesazhet e tre ambasadorëve Hovenier, Rohde dhe Guerot për Qeverinë e Kosovës

Më: 24 maj 2024 Në ora: 11:06
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, dhe ambasadori francez, Oliver Guerot

Tre ambasadorë të shteteve aleate kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të dëgjohen këshillat e partnerëve ndërkombëtarë. Ky mesazh erdhi pak ditë pas një intervenimi të Policisë së Kosovës në veri për mbylljen e Bankës Postare dhe Kursimeve, që vepronte ilegalisht.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ai i Gjermanisë, Jorn Rohde, dhe ambasadori francez, Oliver Guerot mbrëmë në tri paraqitje të ndara në media, folën për aksionin e fundit në veri, çështjen e dinarit dhe dështimin e Kosovës në rrugën drejt KiE-së.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës koordinim para aksioneve në veri të vendit.

“Nuk është kurrfarë sekreti se qeveria e Shteteve të Bashkuara dëshiron të shohë në disa fusha bashkëpunim më të ngushtë me qeverinë e kryeministrit Kurti. E themi hapur këtë dhe më lejoni vetëm një shembull të fundit. Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoi me deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën.”, tha Hovenier.

Ai u shpreh se duan ta shohin Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtohen me interpretimin e tyre, por veprimet nuk duhet të pengojnë dialogun.

“Nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike,ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së, NATO – pikërisht të këtyre institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim.”, tha ai.

Hovenier i ka bërë sërish thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërmarrë hapa për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Hovenier pas dështimit të anëtarësimit në KiE ka thënë shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës

“Natyrisht, ka shpresë se qëllimi mund të arrihet dhe kam besim se në të ardhmen do ta shohim Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës. Por, dua të theksoj përsëri kjo nuk do tëthotë se kjo do të ndodhë automatikisht. Ka disa gjëra specifike që qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj. Më duhet të them se nga këndvështrimi i SHBA-së, këshilla jonë për qeverinë ka qenë të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vendet e tjera në Këshillin e Evropës për të treguar angazhimin e saj të qartë dhe të vendosur ndaj të drejtave të pakicave. Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë.”, tha ambasadori amerikan.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se këshillat e Gjermanisë po injorohen nga Qeveria e Kosovës.

“Ne japim këshilla nëse këshilla jonë përherë injorohet kjo nuk krijon atmosferë të mirë, nëse marrim pyetjen e dinarit p.sh. Kosova është shtet i pavarur, Gjermania dhe shtetet e QUINT-it, vazhdimisht e kanë theksuar legjitimitetin që Kosova ta ketë një valutë të vetme. E vetmja gjë që pandërprerë e kemi vënë në pikëpyetje dhe kritikuar është mënyra e implementimit. Kjo është çështje e dialogut, e kemi Lajçakun, duhet të diskutoni atje dhe të mos ketë aktivitete të pakoordinuara. Çdo aktivitet që është i pakoordinuar, çon në pasoja dhe ndërlikon atmosferën politike. Legjitimiteti i vendimit të BQK-së, nuk është në pikëpyetje, ne vetëm kritikojmë vetëm mënyrën e zbatimit, i cili ka qenë i pakoordinuar”, tha ai.

Edhe ambasadori francez ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të mos i surprizojë. Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka shpjeguar se çfarë nënkuptojnë me koordinim dhe pse është i rëndësishëm për ta.

Ai tha se koordinim do të thotë që autoritetet e Kosovës, të mos i zënë në befasi shtetet mike siç janë Franca, Gjermania e shtetet tjera.

Koordinim sipas tij do të thotë që KFOR-i dhe EULEX-i të njoftohen paraprakisht për veprimet e rëndësishme.

“Koordinimi do të thotë menaxhimin e dallimeve potenciale në mendime, që nënkupton të mos i merrni miqtë e tu, aleatët e tu, siç është Franca e Gjermania, dhe të mos i befasoni ata. Ka të bëjë me atë që të bisedoni paraprakisht, do të mundoheni të ulni apo zvogëloni fushëveprimet e dallimeve, kështu e nënkuptojmë koordinimin. Është po ashtu për njoftim shumë më parë me institucionet e BE-së, që quhet EULEX-in, që po bën punë të rëndësishme, bashkë me Policinë dhe KFOR-in që janë përgjegjëse për të siguruar mjedisin e sigurtë për të gjithë. Ka një vështirësi, nëse këto..dy misione që luajnë rol të rëndësishëm për sigurinë në Kosovë edhe nëse ato befasohen. Këtë e nënkupton koordinimi”, tha ai.

Tutje ai e përmendi zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se kishte ndikim negativ te serbët në veri të Kosovës.

Po ashtu, sipas tij veprimet e autoriteteve kosovare në veri të vendit mund të shndërrojnë situata problematike.

“Ka ndikim në jetën e përditshme, të qytetarëve të rëndomte të Kosovës që kanë rastisur të jenë serbë. Dhe kur Qeveria merr vendim, qoftë një vendim shumë legjitim, si pjesë e procesit vendimmarrës shikohet ndikimi i atij vendimi te popullata, një nga arsyet që ishim kritikë, në fillim të janarit lidhur me rregulloren e BQK-së, apo zbatimit të vendimit, ka qenë mungesa e vlerësimit të ndikimit te popullata dhe frikësohemi që aktivitetet të fundit në veri do ta kenë të njëjtën ndikim te popullata. Kur njerëzit janë të pakënaqur, ekziston rreziku që të shndërrohen në një situatë që mund të jetë problematike”, tha ai.

Ai tha se Kosova duhet të bëjë diçka për Asociacionin.

“Mesa kam njohuri, asnjë vend gjatë takimeve aso sa herë ka qenë e mundur, kanë kërkuar formalisht që të diskutohet aplikacioni i Kosovës, nuk ka qenë në agjendë, s’ka pasur kërkesë zyrtare. I bie që nuk është vetëm Franca dhe Gjermania, por janë pak a shumë gati të gjithë. Duhet të jetë pika fillestare e reflektimit, pse është kështu, në vend të mundohemi të analizojmë nëse është parakusht, kusht i mëvonshëm, rekomandim, është bërë një fakt jete, për të cilin të gjithë presim të ndodhë diçka lidhur me Asociacionin”, tha ai.

Guerot tha se Franca nuk ka thënë asnjëherë themelojeni Asociacionin për KiE, sipas tij, ata kanë kërkuar një hap të prekshëm nga Kosova, siç është dërgimi në Kushtetuese.

“Askush nuk ka kërkuar formalisht që të diskutohet aplikacioni, nga kjo kam parë që ekziston kuptim i përgjithshëm i sugjerimit tonë të bëhet diçka. Bëni diçka, draft-statutin në Kushtetuese, është një rrugë më e sigurtë të vazhdohet tutje. Asnjëherë s’kemi thënë themeloni Asociacionin, para kësaj e kemi thënë bëni një hap të prekshëm, bëni diçka, kjo është gjëja më e mençur. Dëgjojmë komente shumë, nganjëherë është në rregull nuk është i keq, nganjëherë thuhet se ka të meta. E vetmja mënyrë për të ditur është ta dërgoni në Gjykatë”, tha ai.

Ai tha se Franca e mbështet Kosovën për anëtarësim në KiE, por sipas tij Kosova duhet ta dërgojë në Kushtetuese draftin.

Ai tha se do të ketë mundësi të tjera për Kosovën. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat