Sot mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për plagosjen në Pejë

Aktuale

Sot mbahet seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për plagosjen në Pejë

Më: 24 maj 2024 Në ora: 13:15
Agron Gashi

Prokuroria e Pejës po kërkon caktimin e masës së paraburgimit për Agron Gashi, i cili dyshohet për vrasjen e rёndё nё tentativë e cila ndodhi më 22 maj në Pejë, në të cilën mbetën të plagosur tre persona.

Seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Agron Gashit do të mbahet sot në ora 17:00.

Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini, prokurori i rastit, Ersan Qavolli.

21-vjeçari ishte arrestuar dje nën dyshimet për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë, kurse sipas dosjes për shkak të gjendjes se të dëmtuarit janë në rrezik për jetë kualifikimi ligjor ndaj tij mund të ndryshojë.

Agron Gashi sipas dosjes së policisë është i dyshuar për 23 raste të ndryshme penale, kurse nga të dhënat e prokurorisë ka 10 aktakuza për vepra të ndryshme penale si dhe janë duke u zhvilluar hetime edhe për dy vepra tjera penale.

Sipas prokurorisë janë përmbushur kushtet e caktimit të paraburgimit të cilat janë rreziku nga arratisja; rreziku për të ndikuar në dëshmitarë dhe asgjësim të provave si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Prokuroria Themelore në Pejë ka dhënë detaje mbi të kaluarën kriminale të këtij të dyshuari duke thënë se i njëjti ka pasur aktakuzë për rrezikim të trafikut publik dhe ka një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Qavolli që ndërlidhet me rastin e rrezikimit të trafikut publik.

“Ka qenë i akuzuar për rrezikim të trafikut publik, e ka shkelur një polic dhe ka ikur nga vendi ngjarjes. Ka qenë në arrati një kohë, është arrestuar, ka qenë në paraburgim. Njëkohësisht ky e ka edhe një kallëzim penal për kanosje ndaj prokurorit Ersan Qavolli. Në atë periudhë kur ka qenë për rrezikim të trafikut publik“ – kishte thënë zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Përveç dyshimit për kryerje të veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë ndaj tij rëndojnë edhe dyshimet për armëmbajtje pa leje.

I njëjti kur është intervistuar nga Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka pranuar të flasë duke u mbrojtur në heshtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat