​Promovohet libri me fjalime të presidentit Rugova “Liria si imanencë njerëzore”

Aktuale

​Promovohet libri me fjalime të presidentit Rugova “Liria si imanencë njerëzore”

Më: 24 maj 2024 Në ora: 15:05
Foto ilustrim

Me rastin e Ditës së Presidentit, sot është promovuar libri “Liria si imanencë njerëzore“ me përmbledhje të fjalimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë periudhës 1976-2005.

Ideja për botimin e këtij libri, u tha se ishte e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i cili është edhe botimi i parë i Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.

Në një fjalë rasti, e para e vendit tha se presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi dhe ndërtuesi i aleancave strategjike të Kosovës me perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo potencoi se libri “Liria si një imanencë njerëzore” ofron një njoftim gjithëpërfshirës me idetë, por edhe vizionin për studiuesit dhe udhëheqësit politikë e shtetërorë të presidentit Rugova. Osmani tha se presidenti Rugova kultivoi dhe mbrojti pa frikë fjalën dhe mendimin e lirë.

Osmani: Rugova mbrojti fjalën dhe mendimin e lirë

“Presidenti Rugova ishte dhe vazhdon të mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin tonë kryesor e të pazëvendësueshëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky libër është vetëm një dedikim i vogël për kontributin e tij të jashtëzakonshëm të Kosovës dhe është botimi i parë i bibliotekës presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”. Këto fjalime të përmbledhura në libër nga Hyseni janë jo vetëm histori personale e presidentit historik, por edhe historia e vetë rrugëtimit të Kosovës deri në ikjen e presidentit në amshim. Libri “Liria si një imanencë njerëzore” ofron një njoftim gjithëpërfshirës me idetë, por edhe vizionin për studiuesit, udhëheqësit politikë e shtetërorë të presidentit Rugova. Nëpërmjet fjalimeve të tij mund të kuptohet qartë lidhka e lirisë krijuese me lirinë politike siç bëri presidenti Rugova vazhdimisht. Ai e kultivoi dhe mbrojti pa frikë fjalën e lirë, mendimin e lirë,” tha Osmani.

Ndërkaq, autori i këtij libri, Munish Hyseni tha se ndër çështjet fundamentale që dominojnë diskursin e këtyre teksteve janë liria dhe identiteti në krijimtari dhe shoqëri. Ai citoi presidentin Rugova duke thënë se liria është kërkesë e njeriut.

Hyseni: Liria është kërkesë e njeriut

“Dy janë çështjet fundamentale që dominojnë diskursin e këtyre teksteve: liria dhe identiteti në krijimtari dhe shoqëri. Të dy këto çështje janë të lidhura ngushtë njëra-tjetrën. ‘Liria është element dhe fenomen i njeriut i kërkesave dhe realizimit të tij si në planin e veprimit ashtu edhe në atë të ekzistencën dhe in-ekzistencës së tij’ thotë Rugova. Duke u marrë me konceptin e përgjithshëm të teorisë pohon se shikuar nga praktika historike del se liria është e lidhur ngushtë me lirinë sociale, kulturore dhe nacionale. Duke njohur realitetin historik, identitetin individual, kolektiv, përkatësisht një kategori mjaft të gjerë që përmban në vete të gjitha aspektet kombëtare, sociale dhe intelektuale,” tha Hyseni.

Në kuadër të këtij organizimi, presidentja Vjosa Osmani, i dorëzoi kopjen e parë të librit Fanë Rugovës, bashkëshortes së ish-presidentit Ibrahim Rugova. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat