Krasniqi i bën thirrje liderëve partiakë për zgjedhje të parakohshme

Aktuale

Krasniqi i bën thirrje liderëve partiakë për zgjedhje të parakohshme

Më: 24 maj 2024 Në ora: 17:50
Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Në një postim në Facebook, Krasniqi ka njoftuar se ka dërguar letra kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, duke theksuar rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.

Në postimin e tij, Krasniqi ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme për qytetarët dhe jo thjesht një dëshirë politike. "Kosova dhe qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri të re që fokusohet në zhvillimin ekonomik, mirëqenien qytetare dhe integrimin euro-atlantik. Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar," ka shkruar ai.

Krasniqi ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve dhe ka theksuar se për arritjen e këtyre datave, Kuvendi duhet të shpërndahet më së largu deri më 29 maj. "I ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi dhe të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë," ka shtuar ai.

Pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti para 10 ditësh, është rënë dakord për shpërndarjen e Kuvendit, megjithatë ky propozim nuk është pranuar ende nga LDK dhe AAK, të cilat kërkojnë dorëheqjen e Kurtit si parakusht. Kryeministri nuk është shprehur i gatshëm për dorëheqje, por vetëm për shpërndarje të Kuvendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat