Haradinaj zbulon “skenarin” e Kurtit: U ka premtuar ndërkombëtarëve Asociacionin pas...

Aktuale

Haradinaj zbulon “skenarin” e Kurtit: U ka premtuar ndërkombëtarëve Asociacionin pas...

Më: 25 maj 2024 Në ora: 06:35
Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së

Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, thotë se kryeministri Albin Kurti ka një skenar pse dëshiron të shkojë në zgjedhje, por që sipas tij s’do ta ndihmojë asgjë, pasi VV po bie.

Sipas kreut të AAK-së, Kurti u ka premtuar ndërkombëtarëve që do ta bëjë Asociacionin dhe të gjitha që i kërkohen pas zgjedhjeve, andaj dëshiron që t’i shpallë ato.

“Po prandaj thashë se po qarkullojnë zëra që Kurti u ka thënë autoriteteve të caktuara përmes emisarëve të vet që në një mandat të ri ato që s’i ka kryer do t’i kryejë, por s’mund t’i bëjë para zgjedhjeve, sepse do të jetë karta e tij kryesore zgjedhore, dhe u ka thënë se do ta bëjë atë që tha edhe zonja Gërvalla, që buron nga ky premtim, që çoi dhe letër, pra buron nga premtimi i Kurtit që ka dhënë, andaj po ngutet që të shkojë në zgjedhje dhe sapo t’i kryejë i bën”, potencon ai.

Haradinaj shton se Asociacioni do të përdoret nga Kurti për të marrë votat në zgjedhje dhe më pas do ta dërgojnë draftin, siç dhe janë zotuar.

“Kurti nuk e ka hallin te partia e luftës. Unë e shoh Kurtin si ai që e bën Asociacionin, sepse e kanë shkruar letrën, e ka bërë realisht. Zbatimi i tij është çështje praktike që duhet të ndodhë në një mënyrë të caktuar, por Kurti u ka kërkuar ndërkombëtarëve, “ju lutem më ndihmoni të shkoj në zgjedhje i padëmtuar, t’i kryej zgjedhjet, t’i kryej punët tjera”, e kanë draftin e kanë bërë…nuk e çojnë draftin para zgjedhjeve, zonja Gërvalla thoshte në letër se e çojnë draftin në fund të majit, prandaj po iu ngutet që t’i shpallin zgjedhjet para fundit të majit, që drafti mos të shkojë para se të votohet, nëse shkojmë në zgjedhje, ai thotë se draftin e kanë të gatshëm, por ua japin pas zgjedhjeve, sepse iu duhet për t’i marrë votat. Kjo është situata”, deklaron Haradinaj.

“Nuk mundem për besë të flas me ndonjë saktësi të caktuar, por duhet pasur një arsye pse ai po nxitohet tash, më shumë sesa që po i bie përqindje, pra ai i ka të dhënat që është në rënie e sipër. Ne po flasim me njëfarë qartësie, ne kemi informata. Kurti ka problem, s’do t’i ndihmojnë as pakot sociale, as koeficienti”, shprehet ai.

Sipas tij, Kurti e ka skenarin që ta shpërndajë Kuvendin e më pas të nisë me disa dhurata për qytetarët për të blerë vota.

“Ai e ka skenarin, shpërndarja e parlamentit dhe në kohën prej shpërndarjes ai do t’i drejtohet qytetarëve me disa dhurata sa për t’ua blerë votën, që është mashtrim dhe njëkohësisht nga frika se diaspora nuk e voton më, e ka votuar diasporën me ministren e jashtme. MPJ edhe pse i ka marrë krejt kërkesat nga KQZ, nuk i ka ndërmarrë veprimet që t’ua mundësojnë shtetasve tonë që jetojnë jashtë Kosovës, që të votojnë në ambasada apo nuk ka hapur kutinë postare që qytetarët tanë të votojnë atje për 60 centë, i ka dënuar të votojnë si herën e kaluar, nuk besoj se është vetëm rënia e votave, ka edhe shqetësime tjera. Po i lëmë hipotetike, por nuk është e mirë e marrëdhënieve të tij me askënd”, vlerëson Haradinaj.

Ai shton se mosanëtarësimi në KiE ka qenë humbje edhe për aleatët, dhe të gjitha këto humbje janë si pasojë e Kurtit.

“Unë mendoj se durimi e pasoni e toleranca ndaj tij po zvogëlohet për shkak të sjelljeve e të mashtrimeve të tij. Mosanëtarësimi në KiE s’ka qenë humbje vetëm për Kosovën, por edhe për aleatët e Kosovës, dhe të vetmit që kanë fituar në këtë rast janë Serbia e Rusia. KiE ka qenë dëshmi për të vazhduar edhe në NATO dhe BE. Edhe mungesa e këtyre dy opsioneve i ka shkaktuar humbje aleatëve tanë, që po luftojnë me Rusinë. Kurti i ka shkaktuar këto pasoja, këto shkojnë në emrin e tij, këto pasoja në emrin e tij kanë shkuar aq larg, sa ta inkurajojnë Serbinë t’i shkruajë asamblesë parlamentare të NATO-s”, shton Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat