​Kurti flet për luftë, njohësit e sigurisë thonë se ajo ka përfunduar në 99-tën

Aktuale

​Kurti flet për luftë, njohësit e sigurisë thonë se ajo ka përfunduar në 99-tën

Më: 25 maj 2024 Në ora: 09:03
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Njohës të fushës së sigurisë kanë adresuar kritika të ashpra në drejtim të kryeministrit Kurti, i cili një ditë më parë në konferencën për siguri në Londër tha se Serbia po e kërcënon me luftë Kosovën.

Sipas tyre Serbia kërcënon tash e 25 vjet dhe se koha e luftës ka përfunduar me hyrjen e NATO-s në Kosovë. Ata kanë vlerësuar se kryeministri Kurti ka dështuar të përmbushë premtimet në aspektin socio-ekonomik dhe në këtë mënyrë po përpiqet që të marr vëmendjen e qytetarëve.

“Në një kohë kur po përjetojmë luftë në Evropë, nuk mund të injorojmë kërcënimin e një lufte tjetër në një rajon që e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”. Kështu tha kryeministri Albin Kurti në një konferencën për siguri në Londër, duke iu referuar kërcënimeve nga Serbia. Por, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, thotë se kërcënimet që vijnë nga Serbia bëhen për të tërhequr vëmendjen nga lufta në Ukrainë megjithëse, sipas tij, Kosova është e sigurt me praninë e NATO-s

“Unë personalisht mendoj që gjasat për një luftë nuk janë reale duke e ditë që NATO-ja ruan Kosovën, Serbia nuk do të guxonte që ta sulmonte”, tha Kastrati për rtv21.

Në anën tjetër, ish-koloneli i FSK-së, Afrim Veseli vlerëson se koha e luftës ka përfunduar në vitin 99-tën dhe se tashmë është koha për zhvillim ekonomik.

“Tash s’ka luftë Kosova ruhet nga NATO-ja edhe nëse veç tenton me nisë luftë me Kosovën ajo do të luftojë me NATO-n, Serbia blenë armatim nga Rusia, ne e kemi mbrojtjen e NATO-s, do të thotë mbrojtjen më moderne pra këto deklarata janë më shumë për konsum të brendshëm”, tha Veseli.

Në një vijë të mendimit është edhe ushtaraku në pension Hysen Gecaj. Ai ka vlerësuar se kryeministri Kurti, ka dështuar në aspektin Socio-ekonomik dhe në këtë kontekst po mundohet që vëmendjen e qytetarëve ta kthejë aty ku nuk ka nevojë.

“Udhëheqësit që e dijnë se i ruan dikush tjetër si Kosovën NATO e kanë më të lehtë të flasin për luftën dhe flasin pa problem, tash kur jemi ne prag të zgjedhjeve duke e pa që ka dështuar në shumë aspekte po mundohet që me deklarata të tilla të përfitoj ndonjë votë, por Kosovën e ruan NATO dhe nuk ka pse të ngjallë panik tek qytetarët”, tha Gecaj.

Të paktën 1000 trupa shtesë të NATO-s u vendosën në Kosovë pas trazirave të majit të viti t të kaluar në pjesën veriore të vendit dhe pas sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit të kaluar. NATO tha se është e gatshme për të parandaluar çdo përpjekje për të destabilizuar Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat