Opozita s’pritet të pajtohet për shpërndarje të Kuvendit

Aktuale

Opozita s’pritet të pajtohet për shpërndarje të Kuvendit

Më: 26 maj 2024 Në ora: 12:36
Liderët e partive opozitare

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës s'pritet të gjejnë gjuhë të përbashkët për shpërndarjen e Kuvendit, që do të mundësonte dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Në partinë më të madhe opozitare, PDK, thonë se vetëshkarkimi i deputetëve është zgjidhja më e mundshme në rrethanat aktuale politike, ndërkaq në LDK dhe AAK këmbëngulin se zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin vetëm përmes dorëheqjes apo shkarkimit të qeverisë Kurti. Në anën tjetër, analistët politikë deklarojnë se përçarja e opozitës më së shumti i shkon në favor të kryeministrit Albin Kurti.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku thotë për KP osovaPress se do të vazhojnë përpjekjet për të bindur LDK-në dhe AAK-në që të mbështesin idenë e shpërndarjes së Kuvendit për t'i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Ajo thekson se s'kanë shtiza për opozitën, por synojnë të unifikohen për ta dërguar vendin sa më shpejtë në zgjedhje.

Çitaku: S’kemi shtiza për opozitën

“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi para se të takohet me kryeministrin Kurti është takuar edhe me kryetarin e LDK-së dhe AAK-së. Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe kjo do të jetë një agjendë e jona e përbashkët, pasi ne të gjithë po pajtohemi se kjo qeveri është e gabuar dhe vendi nuk është në drejtimin e duhur. Mënyra e vetme për t’i dhënë Kosovës një alternativë të re është duke shkuar në zgjedhje dhe duke i fituar ato. Ne nuk kemi shtiza për kolegët tanë në opozitë, ne duam që bashkërisht të kemi një mocion përmes së cilit bëhet shpërndarja e Kuvendit”, thotë ajo.

Mirëpo, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thekson se në zgjedhje të parakohshme shkohet vetëm nëse Kurti jep dorëheqje apo shkarkohet.

Ajo nënvizon se deputetët e partisë së Lumir Abdixhikut nuk do të votojnë për një gjë të tillë në Kuvend.

Krasniqi: Kurti duhet të jap dorëheqje

“Ne presim dorëheqjen e kryeministrit Kurti, pastaj të shkohet në zgjedhje. Nuk votojmë dhe nuk bëjmë pazare me asnjë parti politike. Kryeministri Kurti duhet të jap dorëheqje për atë që i ka bërë Kosovës. Është prishur me të gjithë aleatët ndërkombëtarë, keni pa edhe me ata të rajonit që s’ka asnjë koordinim. Presim që sa më shpejtë të jep dorëheqje. Ju e dini që Kosova 24 vjet pas luftës ka masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian”, shton ajo.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se megjithëse janë në opozitë kanë qëndrime të ndryshme politike me PDK-në dhe LDK-në.

Kadrijaj: Jemi parti të ndara

“Secila jemi parti në veti dhe kemi rezonojmë në formën që ne dëshirojmë me pas. Aleanca ka qenë e para që ka kërkuar mocion mosbesimi për qeverinë dhe jo shpërndarjen e Kuvendit. Ne ende qëndrojmë në atë. Nuk është e drejtë që të shpërndahet Kuvendi, ndërkaq të ngelet qeveria e cila ka performancën më të keqe të mundshme dhe që i ka sjell dëme më të mëdha Kosovës”, thotë Kadrijaj.

Në anën tjetër, analisti Dritëro Arifi, thotë se përçarja e opozitës i shkon në favor kryeministrit, Albin Kurti.

Megjithatë ai e sheh si të mundshme që secila prej tri partive opozitare të jenë të gatshme për koalicion paszgjedhor me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

Arifi: Opozita e përçarë

“Nëse e analizojmë deklaratat e krerëve të opozitës janë totalisht në kundërshtim me njëra tjetrën, po vërehet se nuk ka pasur koordinim paraprak dhe nuk ka as tash koordinim. Unë mendoj se shpërbërja e Kuvendit nuk është opsioni më i logjikshëm i mundshëm në rrethanat që gjendet Republika e Kosovës...(Koalicionet paszgjedhore) i shoh në prizmin e një pragmatizmi politikë. Të gjitha partitë në njëfarë mënyre edhe pse tash po tregohen të fuqishme por në vija të ndara përveç PDK që është zbutur jashtëzakonisht shumë por edhe të tjerat nëse ka një ofertë të mirë besoj që secilën parti e shoh në bashkëpunim me LVV-në”, deklaron ai.

Në LVV kanë potencuar vazhdimisht se kërkesën për shpërndarje të Kuvendit e përkrahin vetëm nëse është e përbashkët nga PDK, LDK dhe AAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat