Bunkeri sekret në Makovc i ndërtuar nga ish-pjesëtari i UÇK-së

Aktuale

Bunkeri sekret në Makovc i ndërtuar nga ish-pjesëtari i UÇK-së

Më: 27 maj 2024 Në ora: 08:12
Pamje nga video

Në truallin e vjetër, po kthehet edhe një herë.

Këtu dy dekada më parë, ndodhej oda e vjetër e familjes Krasniqi.

Por, shumë pak njerëz e dinin që poshtë saj, Maliq Krasniqi nga Makovci i Prishtinës, po e ruante një sekret.

Ish-pjesëtari i logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 27 vjet më parë, këtu e ndërtoi një bunker të fshehtë.

“Më lindi ideja me ba një bunker, në shtëpi për familje, në rast të bombardimeve sepse për këmbësori nuk është kushedi sa i sigurt. Kam llogarit gjithmonë që mundet me pas granatime dhe me strehuar familjen”, ka thënë Maliq Krasniqi, ideatori i bunkerit.

Krasniqi thotë se këtë strehimore e mbajti të fshehtë për shumë vjet.

“Kur ta çelë derën e hyrjes me hi në odë, dera më u mbështet nga ana e hyrjes së bunkerit, pra si maskim dhe me u hap me shkallë me hy në bunker.Tamam me kritere ushtarake e kam ndërtuar bunkerin dhe ka qenë sekret kurrkush nuk e ka ditë, me përjashtim të njërit që na i ka përgatit armaturën, i ndjeri ka vdekur, ai e ka ditë dhe i kam thanë,Vesel, këtë nuk bën me ditë askush”, tregon ai.

Bunkeri i ndërtuar gati tri dekada më parë, është i qasshëm edhe sot.

Në rast të bombardimeve, këtu lehtësisht mund të strehoheshin dhjetëra persona.

Në mure vërehet qartë sistemi për ajrosje.

Këtë bunker sekret, Maliq Krasniqi e ndërtoi në vitin 1997, për t’u strehuar në rast të bombardimeve serbe. Brenda tij kishte ruajtur sasi të mëdha ushqimi dhe i plotësonte kushtet për strehim disa javor.

E këtu nuk mungon as dalja tjetër e cila të nxjerr në malin prapa shtëpisë.

Për të gjitha këto kishte menduar Maliq Krasniqi.

“Nëse rrënohen muret këtu, mbyllet kjo hyrja e kemi pasur daljen atje dhe dalja ka qenë e maskuar, kam vendos rrjeta që mos me hy gjallesat brenda. Pasi u kthyem nga lufta, filluam një jetë të re dhe bunkerin kuptohet e kemi lënë anash, ishalla nuk na duhet më kurrë”, thotë ai.

Bunkeri prej 20 metrave katror, mbeti i pa përdorur.

Forcat serbe asnjëherë nuk e bombarduan fshatin Makovc të Prishtinës.

Por, këmbësoria paramilitare serbe në këtë fshat, në prillin e ’99-tës, vrau e masakroi plot 160 shqiptarë civilë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat