Dreshaj: S’ka sigurim shëndetësor gjatë mandatit të Kurtit

Aktuale

Dreshaj: S’ka sigurim shëndetësor gjatë mandatit të Kurtit

Më: 27 maj 2024 Në ora: 10:22
Shemdesin Dreshaj

Shemdesin Dreshaj, anëtar i Komisionit Parlamentar për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, nuk pret që pushteti aktual ta realizoj premtimin për sigurimet shëndetësore.

Dreshaj vlerëson se s’ka vullnet politik për këtë Ligj.

“Ka mungesë të vullnetit politik të zgjidhët kjo çështje. Sistemi informativ ende është në proces, ende s’ka përmbyllje, nuk është pengesë e pakalueshme ky sistem, kjo është arsyetim. Implementimi i sigurimeve shëndetësore kërkon minimumi 2-4 vite që të fillojnë të implementohen, gjasat as minimale nuk janë të ndodhë kjo”, u shpreh Dreshaj.

Për herë të parë një Ligj për sigurime shëndetësore ishte miratuar në vitin 2007, por nuk ka hyrë asnjëherë në fuqi për shkak se shefi i atëhershëm i UNMIK-ut nuk e nënshkroi atë. Një vit më vonë pas shpalljes së pavarësisë, ligji për sigurim shëndetësore u tërhoq për shkak të buxhetit. Ligji i ri për sigurime shëndetësore u miratua në vitin 2014, por nuk u zbatua.

Zbatimit të këtij ligji ishte parashikuar se do t’i paraprinte një periudhë prej gjashtë muajve, gjatë së cilës do të mblidheshin premiumet (fondet). Mbledhja e fondeve ishte paralajmëruar se do të niste që nga 1 korriku i vitit 2017.
Atëkohë, Qeveria e Kosovës i kishte ndarë 17 milionë euro, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat