Hyseni i VV-së: Pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar​, Kosova avancoi statusin në NATO

Aktuale

Hyseni i VV-së: Pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për ta ndaluar​, Kosova avancoi statusin në NATO

Më: 27 maj 2024 Në ora: 12:43
Foto ilustrim

Kosova tashmë është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kjo pasi Asambleja me shumicë votash ka miratuar statusin e Kuvendit të Kosovës.

Për këtë ka reaguar edhe kryesuesi i delegacionit kosovar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni.

Deputeti Hyseni ka thënë se "letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit".

“Avancimi i statusit vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm mes Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Nga qershori i vitit 2014, ne përfaqësoheshim si delegacion vëzhgues. Letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit. Ju përcjell urimet më të përzemërta nga Sofje e Bullgarisë. I priftë e mbara Kosovës tonë!", ka shkruar ai në Facebook.

Asambleja Parlamentare e NATO-s është institucionalisht e ndarë nga NATO-ja, por shërben si një lidhje e rëndësishme mes NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare. Ajo përbëhet nga 281 delegatë nga të 32 vendet anëtare të NATO-s.

Anëtarët e asociuar mund të paraqesin rezoluta dhe ndryshime në rezoluta. Gjithashtu, mund të shërbejnë si raportues specialë të asociuar në komitete, për të paraqitur perspektivat e tyre në raportet NATO-Asamble Parlamentare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat