Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në AP të NATO-s, mbështetje votimit të Kosovës si anëtar i asociuar

Aktuale

Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në AP të NATO-s, mbështetje votimit të Kosovës si anëtar i asociuar

Më: 27 maj 2024 Në ora: 15:07
Delegacioni i përhershëm i Kuvedit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Delegacioni i përhershëm i Kuvedit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i kryesuar nga Mimi Kodheli mori pjesë në Sesionin e Pranverës të organizuar në Sofje të Bullgarisë në datat 24-27 maj 2024.

Diskutimet ishin të ndryshme, por ato u fokusuan më së shumti në situatën dhe mbështetjen për Ukrainën, sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe krahun jugor të Aleancës, partnerët në risk si dhe partneritetet e reja të Asamblesë.

Samiti i Uashingtonit dhe mesazhet që AP NATO do të përcjellë në këtë aktivitet u diskutuan dhe dakorduan gjithashtu gjatë këtij Sesioni.

Arritja më e madhe për ne në këtë sesion ishte votimi pro, nga shumica e anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, i statusit të Kosovës nga vëzhgues në anëtar i asociuar i Asamblesë Parlamentare. Votimi i parë për këtë çështje ishte bërë në Talin të Estonisë në mars të këtij viti gjatë mbledhjes së Komisionit të Përhershëm të Asamblesë.

Delegacioni i përhershëm nga Kuvendi i Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në koordinim të vazhdueshëm me delegacionin e Kosovës ka punuar për arritjen e këtij objektivi prej tashmë më shumë se 1 viti, që nga momenti kur Kuvendi i Kosovës dorëzoi zyrtarisht kërkesën për ngritjen e statusit brenda Asamblesë.

Kryetarja Kodheli në cilësinë e ish-zëvendëspresidentes së Asamblesë, sot anëtare e Byrosë, ka zhvilluar takime bilaterale me partnerët për të mundësuar një votim të suksesshëm në Asamble mbi këtë çështje.

Delegacioni shqiptar ka diskutuar në çdo format të Asamblesë së NATO-s mbi të drejtën e Kosovës për të mundësuar përditësimin e statusit të saj si pasojë e zhvillimeve të fundit në rajon, por edhe si një vend me mbështetje mbi 94% proaktive për anëtarësim në NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat