Manxhuka i reagon Gashit pasi tha se LVV ka koalicion me PDK-në

Aktuale

Manxhuka i reagon Gashit pasi tha se LVV ka koalicion me PDK-në

Më: 27 maj 2024 Në ora: 15:36
Arlind Manxhuka

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, i cili ka pohuar se ka një përafrim mes PDK-së dhe LVV-së.

Arlind Manxhuka, zëdhënës i Lëvizjes Vetëvendosje tha se opozita nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme, dhe se deklaratat që LVV do të bëjë koalicion me PDK-në, janë të zakonshme para secilave zgjedhje.

“Ata nuk i duan përnjëmend zgjedhjet e parakohshme dhe se porsi shumica e popullit janë të kënaqur me KM Kurti. Pra, kjo është përpjekje për të ikur nga mosgatishmëria e tyre për zgjedhje. Kështu po i frikësohen zgjedhjeve të reja dhe janë komod në ulëset opozitare të Kuvendit. Ndërkaq, para secilave zgjedhje thonë që LV do të bëjë koalicion me PDK-në, ndërkohë që çdoherë realiteti i ka demantuar”, është shprehur ai.

Ndërkaq sot shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi deklaroi se dorëheqja e kryeministrit Albin Kurti është e vetmja zgjidhje për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ai po ashtu u shpreh se ka një përafrim mes LVV-së dhe PDK-së.

“Pse duhet të jenë partitë opozitare të pajtuara kur partitë opozitare kanë programe të ndryshme, lidership të ndryshëm, qasje të ndryshme edhe me pushtetin edhe mes veti. Është normale që partitë opozitare s’kanë të njëjtën qasje. Ka një koalicion ose një përafrim mes PDK-së dhe LVV-së që është në objektiven e tyre, në qëllimin e tyre të punës dhe normalisht ne si LDK kemi këndvështrimin tonë dhe këndvështrimi jonë është që të merret përgjegjësia politike për dështimet katërvjeçare në Kosovë”, theksoi Gashi.

Ndryshe, subjektet opozitare përkundër thirrjeve që kanë bërë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, deri tani nuk ka pasur ndonjë dakoordim mes tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat