Prokurori Hur mbron vlerësimin e tij për kujtesën e Presidentit Biden

Amerika

Prokurori Hur mbron vlerësimin e tij për kujtesën e Presidentit Biden

Më: 12 mars 2024 Në ora: 18:41
Prokurori i Posaçëm, Robert Hur po dëshmon sot para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve/AP

Ish-Prokurori i Posaçëm, Robert Hur po dëshmon sot para Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, mbi raportin e tij në kuadër të hetimeve për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete nga Presidenti Joe Biden.

Ish-prokurori Hur, i cili e cilësoi kujtesën e Presdientit Biden si të dobët, tha se vlerësimi ishte i domosdoshëm, i saktë dhe i drejtë.

Ish-Prokurori i Posaçëm amerikan, Robert Hur mbrojti vlerësimin e tij për Presidentin Joe Biden, gjatë dëshmisë para anëtarëve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve mbi raportin në kuadër të hetimeve mbi mbajtjen e dokumenteve sekrete nga presidenti 81 vjeçar.

Në muajin shkurt Prokurori Hur publikoi një raport ku tha se ka vendosur të mos ngrejë akuza kundër zotit Biden dhe se do të ishte e vështirë që ai të dënohej.

Zoti Hur, një ish-prokuror i emëruar nga presidenti republikan Donald Trump, pas një hetimi 15-mujor e cilësoi presidentin Biden si një “burrë të moshuar me qëllime të mira dhe me kujtesë të dobët”.

“Vlerësimi që i bëj në raport kujtesës së presidentit ishte i domosdoshëm, i saktë dhe i drejtë. Jam shprehur siç i kam parë gjërat. Nuk e kam denigruar presidentin në mënyrë të padrejtë. I shpjegova Prokurorit të Përgjithshëm vendimin dhe arsyet se si arrita në të. Kjo ishte ajo që kërkohej nga unë“, tha zoti Hur.

Sipas një transkripti të intervistës së zotit Hur me zotin Biden tetorin e kaluar, ndërsa presidenti po përballej me pasojat e sulmit të Hamasit në Izrael, presidenti ngriti i pari çështjen e kujtesës së tij.

“Jam i ri, nuk është problem”, tha zoti Biden me shaka pasi Prokurori Hur i tha se do ta pyeste për ngjarje që kishin ndodhur vite më parë, shkruan në raport.

Zoti Hur dëshmon në Kongres një javë pas fjalimit të zotit Biden mbi gjendjen e vendit, një tregues i fillimit të një fushate agresive për zgjedhjet presidenciale që mbahen në nëntor, që sipas të gjitha gjasave do të sjellë një përballje të re midis Presidentin Biden dhe rivalit të tij 77 vjeçar, Donald Trump.

Republikanët thonë se mënyra se si u krye procesi ndaj Presidentit Biden është dëshmi e një sistemi të pabarabartë drejtësie. Në qershor ndaj ish-Presidenti Trump u ngrit padi për dokumentet sekrete që iu gjetën në shtëpinë e tij në Florida.

“Joe Biden mbante informacione sekrete. Joe Biden nuk siguroi siç duhet dokumentet sekrete dhe ndau ato me njerëz që nuk duhej. Ai shkeli ligjin dhe meqenëse është një plak që harron, që dukej qëllim-mirë para jurisë, zoti Hur vendosi të mos ngrejë akuza”, tha kryetari i Komisionit Juridik, ligjvënësi republikan Jim Jordan.

Administrata e Presidentit Biden e cilësoi raportin e Prokurorit Hur të motivuar politikisht para zgjedhjeve të nëntorit.

Anëtari demokrat i Komisionit Juridik, Jerry Nadler tha se rasti ndaj Presidentit Biden dhe procesi ndaj ish-Presidentit Trump nuk mund të krahasohen.

“Ai (Trump) jo vetëm që refuzoi kthimin e dokumenteve për muaj të tërë, por gjithashtu pengoi drejtësinë duke angazhuar të tjerët për të shkatërruar dëshmitë dhe më pas të gënjejnë“, thotë anëtari demokrat i komisionit juridik, Jerry Nadler duke cituar prokurorët në rastin ndaj zotit Trump.

Sipas prokurorëve, zoti Trump u përpoq t’i fshihte dokumentet sekrete në në shtëpinë e tij në Florida dhe diskutoi me avokatët e tij rreth mundësisë se si të fshihnin dokumentat nga autoritetet qeveritare. Zoti Trump i cilëson akuzat si të motivuara politikisht./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat