Reagime ndaj komenteve të zotit Trump në një takim elektoral në Ohajo

Amerika

Reagime ndaj komenteve të zotit Trump në një takim elektoral në Ohajo

Më: 18 mars 2024 Në ora: 15:03
Ish Presidenti republikan Donald Trump

Ligjvënësit amerikanë reaguan ndaj disa komenteve të debatueshme, që kandidati i pritshëm presidencial i republikanëve, Donald Trump i bëri të shtunën. Ndonëse Presidenti Biden nuk bëri fushatë në fundjavë, ekipi i tij tërhoqi vëmendjen e mediave amerikane.

Ish Presidenti republikan Donald Trump tërhoqi vëmendjen me disa komente që bëri gjatë një tubimi fushate në Dejton të Ohajos. Njëri prej komenteve të tij lidhej me kritikat që i bëri Kinës për ndërtimin e një fabrike makinash në Meksikë.

“Ne do të vendosim një tarifë 100 për qind për çdo makinë që kalon në anën tonë të kufirit dhe ata nuk do të jenë në gjendje të shesin asnjë makinë nëse unë zgjidhem president. Nëse unë nuk zgjidhem president, do të ketë gjakderdhje në vendin tonë”, tha zoti Trump.

Këshilltarët e zotit Trump thanë se komentet e tij nuk i referoheshin dhunës politike.

Senatori republikan Bill Cassidy foli për komentet e zotit Trump në një intervistë në emisionin “Meet the Press” të kanalit NBC.

“Gjuha dhe toni i fjalimeve janë një nga arsyet pse shumë amerikanë nuk mendojnë se ish Presidenti Trump duhet të bëhet sërish president. Njerëzit kanë interpretime të ndryshme mbi këtë në varësi të bindjeve të tyre politike. Natyrisht që zoti Biden do të thotë se bëhet fjalë për dhunë politike, sepse ai është rival politik i zotit Trump. Mbështetësit e zotit Trump do të përpiqen ta mbrojnë atë dhe do të thonë se bëhet fjalë për katastrofë ekonomike”, tha ai.

Ligjvënësi republikan nga Ohajo, Mike Turner, gjatë një interviste në emisionin “This Week” të kanalit ABC u pyet për komentet e zotit Trump që i referoheshin migrantëve si qenie “jo njerëzore” dhe për trajtimin nga Presidenti Biden të situatës në kufirin SHBA-Meksikë.

“Natyrisht që unë nuk jam dakord me këtë, amerikanët nuk janë dakord me këtë. Por, unë mendoj se njerëzit e kuptojnë se zoti Trump është kandidati i vetëm në këtë garë që do të jetë në gjendje ta zgjidhë këtë çështje”, tha ai.

Gjatë fushatës në Ohajo të shtunën, ish Presidenti Trump gjithashtu vazhdoi kritikat ndaj politikave ekonomike të Presidentit Biden dhe u bëri thirrje me urgjencë mbështetësve të tij që të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

“Nuk mendoj se do të ketë zgjedhje të tjera në këtë vend, nëse ne nuk i fitojmë zgjedhjet e këtij viti. Sigurisht që nuk do të kemi zgjedhje të tjera domethënëse, nëse nuk i fitojmë këto zgjedhje. Kështu që mbajeni në mend 5 nëntorin, mendoj se kjo do të jetë data më e rëndësishme në historinë e vendit tonë”, tha zoti Trump.

Fushata e Presidentit Biden tërhoqi vëmendjen e mediave gjatë fundjavës sa i përket mbledhjes së fondeve. Ekipi i tij elektoral njoftoi se presidenti ka siguruar 155 milionë dollarë, duke mbledhur 53 milionë dollarë vetëm në muajin shkurt.

Lajmi u bë publik ndërsa Presidenti Biden po përgatitej për një drekë të dielën në Shtëpinë e Bardhë me disa udhëheqës të kishës katolike për të festuar Ditën e Shën Patrikut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat