Deri ku mund të ndërhyjë qeveria për heqjen e postimeve të debatueshme për tema të nxehta?

Amerika

Deri ku mund të ndërhyjë qeveria për heqjen e postimeve të debatueshme për tema të nxehta?

Më: 18 mars 2024 Në ora: 17:43
Foto ilustrim

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara pritet të shqyrtojë sot mosmarrëveshjet mes shteteve që drejtohen nga republikanët dhe administratës së zotit Biden se deri në cilën pikë mund të veprojë qeveria federale për të hequr postimet e debatueshme në mediat sociale, lidhur me çështje si Covid-19 apo siguria në zgjedhje.

Gjykata do të dëgjojë sot argumentet për një padi të ngritur nga shtetet e Luizianës dhe Mizurit, si dhe nga disa individë, që akuzojnë administratën amerikane se po përdor platformat e mediave sociale për të censuruar, në shkelje të Kushtetutës, pikëpamjet konservatore. Administrata pretendon se asnjë prej veprimeve që janë përfshirë në akuzat e shteteve nuk ka qenë ndërhyrje në formë presioni.

Deri më tani, vendimet e gjykatave më të ulëta kanë qënë në favor të shteteve dhe kundër qeverisë federale.

Gjykata e Lartë ka bllokuar zbatimin e vendimeve të tyre, në pritje të vendimit të saj për këtë çështje. Padia përfshin postime që janë bërë në Facebook, X, e njohur më parë si Twitter, dhe platorma të tjera sociale.

Gjykata e Lartë po trajton një sërë çështjesh që lidhen me mediat sociale.

Të premten, gjykata përcaktoi standardet se kur zyrtarët publikë mund të bllokojnë ndjekësit e tyre të në mediat sociale.

Më pak se një muaj më parë, gjykata dëgjoi argumente mbi ligjet e miratuara nga republikanët në Florida dhe Teksas që i ndalojnë kompanitë e mëdha të mediave sociale të heqin postimet për shkak të pikëpamjeve të shprehura.

Çështjet mbi ligjet e miratura nga shtetet dhe ajo që do të merret në shqyrtim sot, ngenë pak a shumë të njëjtën problematikë, ankesat se platformat e mediave sociale po censurojnë pikëpamjet konservatore.

Shtetet ngrenë pretendimin se pjesëtarë të personelit të drejtorisë së komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, FBI-ja dhe agjencitë amerikane për sigurinë kibernetike janë në mesin e atyre që kanë ushtruar trysni për të bërë ndryshime në përmbajten e postimeve në Facebook, X dhe platforma të tjera.

“Është tejet shqetësuese që qeveria përdor pushtetin për të penguar njerëzit të ushtrojnë të drejtën për t’u shprehur”, tha Prokurorja e Përgjithshme e Luizianës, Liz Murrill përmes një videoje të postuar në internet.

Administrata amerikane pretendon se asnjë prej veprimeve që janë përfshirë në akuzat e shteteve nuk ka ka qenë ndërhyrje .

“Shtetet akoma nuk kanë sjellë ndonjë rast në të cilin zyrtarë të qeverisë të kenë ushtruar trysni për të ndikuar në vendimet e platformave sociale me kërcënimin se mund të përballeshin me veprime qeveritare që mund t’i dëmtonin”, shkruan avokatja e qeverisë Elizabeth Prelogar.

Kompanitë e mediave sociale nuk janë palë në këtë çështje.

Mbrojtësit e fjalës së lirë thonë se gjykata duhet ta shfrytëzojë këtë rast për të përcaktuar balancën e duhur mes ushtrimit të pushtetit nga ana e qeverisë dhe ndërhyrjes që kërcënon lirinë e të shprehurit.

“Qeveria nuk ka asnjë të drejtë që të kërcënojë platformat e mediave sociale me censurim të lirisë së shprehjes, që është një e drejtë e që mbrohet me ligj, por duhet të jetë në gjendje që të bëhet pjesë e diskutimit publik për të qeverisur në mënyrë efektive dhe për të informuar qytetarët mbi qëndrimet e saj”, shprehet, Alex Abdo, nga universiteti “Columbia”.

Një panel i gjykatësë së apelit me seli në Nju Orlins në Luiziana, vitin e kaluar në vendimin e saj shprehej se administrata e zotit Biden me gjasë kishte ushtruar trysni, në shkelje të kushtetutës ndaj platformave të mediave sociale.

Sipas vendimit të apelit, zyrtarët nuk mund të përpiqen që të “ndërhyjnë apo të nxisin në mënyrë të konsiderueshme” ndryshimin e përmbajtjes së postimeve në median sociale.

Apeli, po ashtu kufizoi një vendim më gjithëpërfshirës të një gykatësi federal, që donte të zgjeronte numrin e zyrtarëve qeveritare që prekeshin nga përpjekjet për të ndërhyrë për ndryshimin e përmbajtjes.

Shtëpia e Bardhë iu drejtua Gjykatës së Lartë për çështjen. Në tetor, përmes një vendimi, ku anëtarët e Gjykatës së Lartë ishin të ndarë, ky organ vendosi ta merrte çështjen në shqyrtim dhe të pezullonte zbatimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar prej saj.

Tre anëtarët e Gjykatës së Lartë Samuel Alito, Neil Gorsuch dhe Clarence Thoma ishin kundër dhe u shprehën në favor të mbajtes në fuqi të vendimit të apelit.

Duke argumentuar për palën kundërshtues, anëtari i Gjykatës së Lartë Alito u shpreh se “në këtë pikë të historisë së vendit, vendimi i Gjykatës, druaj, se do të shihet si një dritë jeshile për qeverinë që të përdorë taktika për të shtrembëruar pikëpamjet në një mjet komunikimi që po mbizotëron gjithnjë e më tepër për shpërndarjen e lajmeve. Është vërtet për të ardhur keq”.

Gjykata e Lartë pritet të dalë me vendim në fillim të verës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat