Sfidat e prokurores Willis në përpjekjet për të çuar Trumpin në gjyq para zgjedhjeve

Amerika

Sfidat e prokurores Willis në përpjekjet për të çuar Trumpin në gjyq para zgjedhjeve

Më: 22 mars 2024 Në ora: 16:22
Fani Willis

Gjykatësi i çështjes mbi ndërhyrjet në zgjedhjet presidenciale në Xhorxhia në vitin 2020 i hapi udhë të mërkurën ish-Presidentit Trump të apelonte vendimin e tij, se prokurorja Fani Willis mund t’i vazhdonte hetimet, pavarësisht lidhjes romantike me një prej prokurorëve që ajo punësoi për të ndjekur rastin. Ekspertët thonë se pranimi i apelimit të vendimit dhe ngritja e një komisioni shtetëror në Xhorxhia, që mund të ketë autoritet të shkarkojë prokurorët, paraqesin sfida për zonjën Willis, e cila ka ngritur 13 akuza penale ndaj zotit Trump. 

Këto muajt e fundit kanë qenë periudhë e trazuar për prokuroren e qarkut Fulton Fani Willis e cila ka ngritur akuza penale ndaj ish Presidentit Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 në shtetin e Xhorxhias.

Pasi një i pandehur tjetër në këtë rast, bëri të njohur marrëdhënien intime mes saj dhe prokurorit që ajo punësoi për të drejtuar hetimet, Nathan Wade, gjykatësi i çështjes vendosi se ajo mund t’i vazhdonte hetimet.

Vendimi ishte një goditje për ish presidentin republikan. Deri tani zoti Trump është parë të bëjë lëvizje juridike që të shtyjë deri pas zgjedhjeve nisjen e gjykimit për 4 çështjet penale me të cilat ai përballet.

Megjithatë, në 20 mars, gjykatësi Scott McAfee vendosi që zoti Trump mund ta apelonte vendimin e tij për të mos e larguar zonjën Willis nga çështja.

Ndërkohë Guvernatori i shtetit të Xhorxhis, Brian Kemp, së fundmi, firmosi një akt ligjor që lejonte ngritjen e një komisioni shtetëror i cili do të ketë autoritet të marrë vendim për shkarkimin e prokurorëve.

Eksperti ligjor Clark D. Cunningham, nga Kolegji i Drejtësisë në shtetin e Xhorxhias, thotë se këto dy zhvillime janë një “minë me sahat” për zonjën Willis. 

“Janë si të thuash bomba që mund të shpërthejnë nga çasti në çast për zonjën Willis. Një prej tyre është mundësia që Gjykata e Apelit të vendosë kundër saj. Tjetra është akti ligjor i guvernatorit Kemp që bën të mundur funksionimin e një komisioni të ri në nivel shtetëror që ka autoritet ta hetojë dhe ta shkarkojë atë nga detyra”.

Gjykatësi McAfee duhet të caktojë datën e gjyqit, por nëse avokatët e zotit Trump dështojnë me apelimin e vendimit, gjyqi mund të përfundojë para zgjedhjeve të nëntorit, thotë zoti Cunningham.

“Faza e parë thuajse ka mbaruar. Prandaj do të ishte koha e përkryer për të bërë gjyqin. Nëse gjyqi do bëhej vetëm për zotin Trump përgjedhja e jurisë do të kërkonte pak kohë. Por, më pas, çështja nuk do duhej të kishte ndërlikime. Ndaj, nëse gjyqi do të fillonte në prill apo maj, do të kishte shanse të mira, që vendimi të jepej në vjeshtë”, thotë eksperti.

Sipas ekspertit, zhvillimi i gjyqit ndaj zotit Trump do të kishte ndikim në zgjedhje.

“Një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik amerikan mesa duket beson ende se zgjedhjet u vodhën dhe se nuk mendojnë se ai bëri ndonjë gjë të gabuar me kontestimin deri në fund të zgjedhjeve, përfshirë edhe atë që ndodhi në 6 janar. Por qëndrime të tilla mund të ndryshojnë nëse ata do të njiheshin me ndonjë provë që do t’i vihej në dispozicion jurisë. Prandaj, gjyqi, mund të kishte ndikim në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit”, shprehet ai.

Ish presidenti Trump dhe 8 të pandehur të tjerë në çështje pretendojnë se zonja Willis ka patur përfitime financiare nga lidhja e saj romantike me zotin Wade, çka e ka nxitur atë të zgjasë hetimet për përfitime personale.

Zonja Willis ka mohuar se ka patur përfitime të paligjshme dhe ka argumentuar e marrëdhënia e saj nuk ka ndikuar në veprimet lidhur me procesin hetimor. 

Ish presidenti Trump dhe 14 persona të tjerë ndaj të cilëve janë ngritur padi kanë deklaruar se janë të pafajshëm për veprat penale, përfshirë ato për shantazh, presion ndaj zyrtarëve të shtetit shtetërorë për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në favor të tij në Xhorxhia.

4 të pandehur të tjerë në të njëjtën çështje kanë pranuar fajësinë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat