Dekriminalizimi i drogave të forta në sasi të vogla

Amerika

Dekriminalizimi i drogave të forta në sasi të vogla

Më: 23 mars 2024 Në ora: 19:13
Foto ilustrim

Në një shtet amerikan po eksperimetohet me një përqasje të re ndaj abuzimit me opioidet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deborah Bloom, njofton se si Oregoni po dekriminalizon përdorimin e sasive të vogla të drogave të forta.

JB jeton në rrugët e qytetit më të madh të shtetit Oregon. Ai është përdorues aktiv i fentanilit dhe thotë se ka abuzuar me opioidet që prej 20 vitesh.

“Nëse nxihet ose jep shije të çuditshme, atëherë nuk është mall i mirë. Unë marr cilësi shumë të mirë”, thotë ai.

Ndërsa Shtetet e Bashkuara përballen me epideminë e abuzimit me fentanilin, votuesit në Oregon miratuan në vitin 2020 dekriminalizimin e sasive të vogla të substancave të kontrolluara.

Qëllimi ishte gjetja e një përqasjeje të re për abuzuesit me drogat dhe investimi më i madh për rimëkëmbjen e tyre.

Në vend që t’u ngrihen akuza penale, personave të kapur me sasira të vogla drogash të forta u jepet një paralajmërim dhe mundësia për trajtim.

Është një plan që u hartua sipas modelit që përdori Portugalia në vitin 2001 duke dekriminalizuar disa droga të forta dhe duke nxitur trajtimin mjekësor.

Sidoqoftë, të dhënat e mbledhura në Oregon që nga fillimi i programit tregojnë se pak persona vazhdojnë me trajtimin dhe se edhe kur vendosin kështu, ata përballen me periudha të gjata pritjeje, për shkak se në këtë shtet ka patur historikisht investim të pakët tek shëndeti mendor. Tera Hurst drejton një aleancë organizatash në Oregon që janë të përfshira me këtë program.

“Ajo çfarë kemi parë është se kur nuk janë shërbimet të disponueshme, dhe kur mungon kujdesi dhe planifikimi në momentin që përballesh me një krizë, atëherë gjërat nuk shkojnë mirë”, thotë zonja Hurst.

Ajo thotë se suksesi i programit varet nga aftësia për të ndryshuar mendimin e të ndërvarurve.

“A i shikoni si persona që bëjnë zgjedhjet e gabuara? Apo ndiqni sugjerimin e shkencës që thotë se kjo është një sëmundje, se është diçka për të cilën ka trajtim dhe se njerëzit rimëkëmben”, thotë zonja Hurst.

Programi i njohur me emrin Masa 110 ka patur rezultate të përziera dhe ka ngritur pikëpyetje rreth efektshmërisë së tij. Max Williams është ish-drejtor i sistemit penitenciar në Oregon dhe ish-ligjvënës.

“Masa 110 synonte të shkonte tek njerëzit aty ku gjenden, tek njerëzit që abuzojnë me substancat. Por, shpesh i la njerëzit pa i ndihmuar. Dhe ne dëshirojmë t’i ndihmojmë, jo thjesht t’i lëmë aty ku janë”, thotë zoti Williams.

Zoti Williams është pjesë e një koalicioni që mbështet organizimin e një referendumi për ta bërë sërish vepër penale përdorimin e sasive të vogla të drogave të forta dhe për ta bërë të detyrueshëm trajtimin për abuzimin me substancat.

“E gjithë ideja është të mos ia shtojmë akuzat individit, të mos i zgjasim historikun penal, apo të mos përdorim pa efektshmëri burgjet. Duhen krijuar pasoja të mjaftueshme, së bashku me shpërblimin për ta motivuar këtë grup të vështirë njerëzish që përballen me ndërvarjen, që të kërkojnë të marrin shërbime trajtimi dhe rimëkëmbjeje”, thotë zoti Williams.

Davidi është i ndërvarur nga droga dhe nuk dëshiron ta tregojë mbiemrin e tij.

Ai thotë se ka provuar disa herë çintoksikimin, por se vështirësohet të rrijë pa përdorur drogë, kur në qendrat e trajtimit në Portland mungon gjithnjë hapësira.

“Nuk ka shtretër të disponueshëm askund për t’u shtruar. Kur ta thotë këtë gjë personeli, kjo është shumë zhgënjyese”, thotë ai.

Një anketim i vitit 2021, e radhiti Oregonin në vendin e fundit në Shtetet e Bashkuara për disponueshmërinë e infrastrukturës për trajtimin ndaj drogave. Që kur filloi në vitin 2020 programi Masa 110, Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve thotë se vdekjet nga mbidozat nga opoioidet në Oregon janë dyfishuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat