E hëna, dita e së vërtetës për pasurinë e ish Presidentit Trump

Amerika

E hëna, dita e së vërtetës për pasurinë e ish Presidentit Trump

Më: 25 mars 2024 Në ora: 15:51
Ish presidenti Donald Trump

Ish presidenti Donald Trump, që i dha trajtë imazhit të tij politik si një miliarder i suksesshëm i pasurive të patundshme, përballet të hënën me një bilanc financiar që mund të tregojë se nuk e zotëron shumën e parave për të cilat i ka folur publikut amerikan.

Kandidati i pritshëm republikan për president në zgjedhjet e nëntorit, përballet me afatin për të paguar gjobën prej 454 milionë dollarësh, ose të vërë një garanci në formë kolaterali nga pasuritë e tij të patundshme. Kjo do t’i mundësonte atij të vazhdojë apelimin e vendimit të dhënë muajin e kaluar që e gjobiti për mashtrim ndër vite me fryrjen artificiale të pasurive të tij, për të përfituar kushte më të mira për biznesin e tij.

Nëse ai nuk siguron dot fondet apo garancinë, prokurorja e Nju Jorkut Letitia James duket e prirur të fillojë procesin e sekuestrimit të disa prej godinave të larta në pronësi të tij në qytetin e Nju Jorkut, ndoshta një rezidencë luksoze që ai zotëron jashtë qytetit, paratë në llogaritë bankare dhe investimet në bursë, madje edhe avionin e tij personal që ai e quan Trump Force One.

Avokatët e zotit Trump kanë thënë se sigurimi i garancisë do të ishte “praktikisht i pamundur”, pasi ai do të duhej të vinte në dispozicion rreth 550 milionë dollarë në llogari bankare dhe investime për një kompani të tretë private që do të ofronte garancinë për gjykatën. Avokatët kanë thënë se deri më tani 30 kompani të tilla kanë refuzuar kërkesën e zotit Trump.

Në një postim javën e kaluar në median sociale Truth Social, zoti Trump tha se ka rreth 500 milionë dollarë në llogaritë e tij bankare, që do t’i përdorte për fushatën e tij elektorale dhe që prokurorja James “kërkon t’ja marrë”.

Por avokati i tij, Chris Kise, i tha kanalit CNN se:

“E ka fjalën për paratë e raportuara në formularët e deklarimit të të ardhurave në kuadër të fushatës elektorale, për paratë që ai ka mbledhur ndër vite nëpërmjet drejtimit të bizneseve të suksesshme”, tha zoti Kise. “Këto janë paratë që Letitia James dhe demokratët kanë në objektiv”.

Gjatë gjithë procesit gjyqësor për padinë civile vitin e kaluar, ish Presidenti Trump sulmoi prokuroren James për ngritjen e kësaj padie, duke thënë se pronat e tij kanë vlera edhe më të mëdha se ato të pasqyruara në raportet financiare për të cilat prokurorja James thoshte se ishin të mbivlerësuara.

Zoti Trump ka thënë se gjithsesi shumat e caktuara në aplikimet për kredi nuk kishin në thelb ndonjë rëndësi, pasi bankat bënin kontrollet e tyre dhe se në fund të fundit, ai ka shlyer plotësisht kreditë në fjalë duke mos shkaktuar kështu dëm financiar për asnjë nga palët.

Ish Presidenti Trump sulmoi gjithashtu gjykatësin e Nju Jorkut, Arthur Engoron, gjatë konferencave të improvizuara për shtyp përpara se të hynte në seancat gjyqësore ku dëshmitarët u dëgjuan për shtatë ditë. Zoti Trump e cilësoi gjobën prej 454 milionë dollarësh një “shifër tronditëse”.

Të dielën, ish Presidenti Trump kritikoi prokuroren James dhe gjykatësin Engoron në median sociale Truth Social. Ai e shkruajti gabim emrin e saj dhe pastaj akuzoi me gërma kapitale se ajo “ka një historik të tmerrshëm në lidhje me kriminalitetin e dhunshëm në Nju Jork si prokurore e përgjithshme. Por të paktën ajo po i qepet Trump-it që nuk ka bërë asnjë shkelje!”.

Ish Presidenti Trump e quajti gjykatësin Engoron “jashtëzakonisht të paaftë dhe të korruptuar! Nuk duhet të kisha asnjë lloj gjobe”.

Në një tjetër çështje gjyqësore po në Nju Jork, gjykata mund të caktojë datën e gjyqit, ndoshta që muajin e ardhshëm, për një ndër katër çështjet penale ndaj zotit Trump, për të cilat janë ngritur 91 akuza të ndryshme.

Në këtë rast, ish Presidenti akuzohet për fshehjen e 130 mijë dollarëve që u paguan pak përpara kandidimit të tij të suksesshëm për president në vitin 2016. Pagesa synonte të siguronte heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë në lidhje me një marrëdhënie të saj me zotin Trump rreth një dekadë më parë.

Zoti Trump ka mohuar se ka qenë në një marrëdhënie me të dhe ka refuzuar të gjitha akuzat penale që janë ngritur ndaj tij./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat