Analistët: Aborti, një çështje e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Amerika

Analistët: Aborti, një çështje e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale në SHBA

Më: 27 mars 2024 Në ora: 19:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Presidenti amerikan Joe Biden e ka vendosur shëndetin dhe të drejtat riprodhuese të grave në qendër të fushatës së tij për zgjedhjet e 5 nëntorit. Demokrati Biden pritet të përballet në zgjedhjet presidenciale me ish Presidentin republikan Donald Trump, i cili ka folur për abortin, por, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Laurel Bowman, ai nuk e ka sqaruar plotësisht pozicionin e tij mbi këtë çështje. Presidenti Joe Biden e ka bërë të drejtën për abort temë kryesore në fushatën e tij.

Presidenti demokrat nënshkroi një urdhër të ri ekzekutiv së fundmi që zgjeron studimet nga qeveria amerikane të çështjeve mbi shëndetin e grave dhe premtoi fonde për të studiuar çështjet si shëndeti riprodhues.

"Mendoni për të gjitha përparimet që kemi bërë në të gjitha fushat e mjekësisë, por shëndeti i grave nuk ka qenë në qendër të vëmendjes. Është dashur një kohë shumë e gjatë, që edhe gratë të përfshihen në studimet për shëndetin. Nëse më ndihmoni në zgjedhjen e një Kongresi të kontrolluar nga demokratët, që mbështet të drejtat riprodhuese të grave, ju premtojë se ne do të rikthejmë në fuqi rastin Roe kundër Wade", tha Presidenti Biden.

Roe kundër Wade, një vendim i Gjykatës së Lartë i vitit 1973, që u dha grave të drejtën kushtetuese për abort, u përmbys në vitin 2022, duke e lënë çështjen e abortit në duar të shteteve. Legjislaturat e kontrolluara nga republikanët kanë miratuar ligje që kufizojnë abortin në rreth 20 shtete.

Rivali i pritshëm republikan i zotit Biden, ish-Presidenti Donald Trump, emëroi anëtarë konservatorë në Gjykatën e Lartë, votat e të cilëve ndihmuan në përmbysjen e ligjit të abortit. Zoti Trump ka thënë se shtetet duhet të kenë të drejtën të vendosin për këtë çështje.

Por ai ka paralajmëruar republikanët për çështjen e abortit, duke thënë se ata duhet të fitojnë zgjedhjet. Sondazhet kanë treguar se shumica e amerikanëve nuk e mbështesin një ndalim total të abortit. Zoti Trump thotë se ai mbështet disa përjashtime.

“Ashtu si ish Presidenti Ronald Reagan, edhe unë mendojë se duhet të ketë përjashtime në ligjet për ndalimin e abortit, si për rastet e përdhunimit, inçestit dhe në rastet kur jeta e nënës është në rrezik. Unë mendoj se duhet të ketë përjashtime”, thotë ish Presidenti Trump.

Në një emision radiofonik së fundmi, zoti Trump foli mbi kufizimet për abortin dhe se në çfarë pike të shtatzënisë duhet të jetë i ligjshëm.

“Pesëmbëdhjetë javë duket se është kufiri për të cilin njerëzit janë dakord, por unë do ta bëj atë njoftim në kohën e duhur”, tha ai.

Po atë ditë, zoti Trump iu përgjigj gazetarëve që mbulonin zgjedhjet paraprake në Florida për çështjen e abortit.

''Ne do të flasim për këtë çështje shumë shpejt”, tha ai.

Analistët thonë se aborti do të jetë një çështje e rëndësishme në zgjedhjet presidenciale.

“Zoti Biden ka një detyrë më të lehtë. Ai thjesht mbështet një rikthim në fuqi të rastit Roe kundër Wade. Ndërsa zoti Trump duhet të jetë i kujdesshëm për atë që thotë. Ai duhet të kënaqë të gjitha fraksionet e komunitetit të krishterë, gjë që është shumë e vështirë për t'u bërë, sepse ata favorizojnë shkallë të ndryshme të ndalimit të abortit”, thotë Larry Sabato ngs Universiteti i Virxhinias.

Çështja e abortit, shtojnë analistët, është veçanërisht e rëndësishme për gratë, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e elektoratit votues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat