Gjykatësja refuzon kërkesën e ish-presidentit Trump për t’i konsideruar personale dokumentet e klasifikuara

Amerika

Gjykatësja refuzon kërkesën e ish-presidentit Trump për t’i konsideruar personale dokumentet e klasifikuara

Më: 4 prill 2024 Në ora: 22:36
Gjykatësja refuzon kërkesën e ish-presidentit Trump për t’i konsideruar personale dokumentet e klasifikuara

UASHINGTON – Gjykatësja federale në Florida, Aileen Cannon refuzoi të enjten argumentin e ish presidentit Donald Trump për ta rrëzuar padinë e ngritur ndaj tij për mbajtjen e dokumentave të klasifikuara, bazuar me pretendimin se ato ishin marrë si materiale personale.

Zoti Trump, tashmë kandidati i pritshëm republikan përballë presidentit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, kishte paraqitur pretendimin se mbajtja e dokumentave të klasifikuara në rezidencën e tij në Florida ishte e lejuar nga legjislacioni amerikan që u mundëson ish-presidentëve të mbajnë materiale personale që nuk kanë lidhje me përgjegjësitë e tyre zyrtare.

Gjykatësja Cannon, e cila u emërua në këtë detyrë nga zoti Trump gjatë kohës që ai ishte president, kishte sinjalizuar më herët se ishte e hapur për ta pranuar shqyrtimin e kërkesës së zotit Trump, ku pretendohet se ai i trajtoi dokumentet si personale, sipas ligjit të vitit 1978, të quajtur Ligji për të Dhënat Presidenciale, që u lejon ish-presidentëve të mbajnë materiale që nuk kanë lidhje me përgjegjësitë e tyre zyrtare.

Prokurori i posaçëm Jack Smith, që drejton padinë e ngritur ndaj ish-presidentit Donald Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara pas largimit nga detyra, pati reaguar kundër gjykatëses federale që sinjalizoi se mund ta pranonte pretendimin e ish-presidentit se dokumentet ishin pjesë e materialeve të tij personale.

Prokurorët janë shprehur se dokumentet lidhen me çështje ushtarake dhe të zbulimit të Shteteve të Bashkuara, përfshirë detaje për programin bërthamor amerikan dhe se ato nuk mund të konsiderohen personale.

Kjo është një ndër katër çështjet penale me të cilat përballet ish-presidenti Trump. Ai ka deklaruar se është i pafajshëm për të gjitha akuzat dhe është përpjekur t’i paraqesë ato si të motivuara politikisht./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat