Tërmeti i pazakontë tronditi Nju Jorkun dhe qytetet përreth

Amerika

Tërmeti i pazakontë tronditi Nju Jorkun dhe qytetet përreth

Më: 6 prill 2024 Në ora: 06:22
Foto ilustrim

Një tërmet tronditi zonën metropolitane me popullsi të dendur të Nju Jorkut mëngjesin e së premtes, njoftoi Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS). Banorët e pjesës verilindore të vendit njoftuan se i kishin përjetuar lëkundjet e tërmetit me një magnitudë paraprake 4.8.

Agjencia amerikane tha se epiqendra e tërmetit ishte në shtetin e Nju Xhersit, rreth 72 kilometra nga qyteti i Nju Jorkut dhe 80 kilometra nga qyteti i Filadefias në veri.

Lëkundjet u ndjenë deri në Baltimorë dhe në Boston. Pati raportime edhe për lëkundje pasuese që u përjetuan nga banorët si të forta. Pati njoftime për mbi dymbëdhjetë lëkundje pasuese gjatë orëve në vazhdim, madje sipas USGS-së, më i forti gjatë mbrëmjes së të premtes ishte i magnitudës 4.

Departamenti i Zjarrfikësve në Nju Jork tha se njoftimet paraprake nuk tregojnë për dëmtime. Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, është informuar për tërmetin, tha zëdhënësi i tij Fabien Levy, duke shtuar se, “Ndërsa për momentin nuk kemi asnjë njoftim për ndikime të mëdha, jemi ende duke vlerësuar efektet”.

Në pjesën qendrore të Manhatanit, zhurma e trafikut të makinave dhe njerëzve u bë edhe më e zëshme ndërsa shoferët u binin borive në rrugët që dridheshin nga lëkundjet e tërmetit.

Disa banorë të Bruklinit thanë se dëgjuan një tingull të zhurmshëm ndërsa ndërtesa e tyre dridhej. Njerëzit në Baltimorë, Filadelfia, Konektikat dhe zona të tjera të Bregut Lindor, të pamësuar me tërmetet, gjithashtu raportuan se kishin ndjerë lëkundjen e tokës.

Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, shkroi në rrjetin X se tërmeti u ndje në të gjithë shtetin. “Ekipi im po vlerëson efektet dhe çdo dëm që mund të ketë ndodhur, dhe ne do ta informojmë publikun gjatë gjithë ditës”, tha zonja Hochul.

Tërmetet janë më pak të zakonshme në bregun lindor të Amerikës, pasi kjo zonë nuk është në kufijtë e pllakave tektonike.

Lëkundjet të kujtojnë tërmetin e 23 gushtit të vitit 2011 që tronditi dhjetëra miliona njerëz nga Xhorxhia në Kanada. Tërmeti i vitit 2011 me magnitudë 5.8 dhe epiqendër në Virxhinia është më i forti që ka goditur Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Tërmeti shkaktoi të çara në monumentin e Uashingtonit dhe nxiti evakuimin e Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit, duke tronditur njujorkezët tre javë përpara 10 vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat