Dikur shtet i lëkundur, Ohajo tashmë mbështet kandidatët konservatorë

Amerika

Dikur shtet i lëkundur, Ohajo tashmë mbështet kandidatët konservatorë

Më: 11 prill 2024 Në ora: 16:37
Foto ilustrim

Shteti i Ohajos ka shërbyer si një tregues i mirë i opinionit publik amerikan. Aty është votuar gjithnjë kandidati fitues, në të gjitha zgjedhjet gjatë periudhës 1964-2016. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Scott Stearns, Ohajo duket se është më konservator ndërsa afrojnë zgjedhjet e këtij viti, duke krijuar kështu një sfidë për Partinë Demokrate që synon rizgjedhjen e presidentit Joe Biden dhe ruajtjen e shumicës në Senatin amerikan.

Prej dekadash, në Ohajo votuesit kanë zgjedhur gjithmonë kandidatin që ka fituar garën presidenciale. Shteti fitoi kështu statusin e parashikuesit të rezultateve të fushatave elektorale për president. Profesori i shkencave politike në Universitetin e Cincinnati-t, David Niven, thotë se Ohajo përfaqëson një pjesë të mirë të Amerikës.

“Ohajo ka një bazë masive prodhimesh bujqësore dhe industriale, si dhe një diversitet ekonomik. Prandaj aty votohet shumë ngjashëm si në të gjithë Amerikën, pasi ekonomia e Ohajos i ngjason asaj të Amerikës”, thotë profesori Niven.

Votuesit në Ohajo votuan dy herë për president Barack Obama-n dhe në vitin 2016 mbështetën fitoren e Donald Trump-it. Por, Ohajo votoi sërish për zotin Trump në zgjedhjet e vitit 2020 ku ai humbi, duke sinjalizuar kështu një zhvendosje të elektoratit në këtë shtet drejt politikave konservatore, thotë planifikuesi i politikave republikane Bob Clegg.

Bazat kanë ekzistuar përherë që republikanët të dominonin në Ohajo. Por mendoj se fenomeni Trump e intensifikoi këtë dhe e bëri më të mundshme”, thotë zoti Clegg.

“Votimi reflekton më shumë demografinë sot, krahasuar me periudhën kur ishte në detyrë Obama. Dhe të dhënat demografike tregojnë se Ohajo po anon nga republikanët. Është shtet me më shumë të bardhë. Ka më pak të arsimuar se pjesa tjetër e vendit dhe moshë mesatare më të lartë”, thotë profesor Niven.

Kjo përbën një sfidë për senatorin Sherrod Brown, i cili fitoi zgjedhjet si kandidat demokrat në Ohajo gjashtë vite më parë.

“Sot, gratë dhe burrat punëtorë të Ohajos votuan që t’i vazhdojmë përpjekjet tona së bashku për gjashtë vite të tjera. Ju i treguat vendit se progresistët mund të fitojnë dhe mund të fitojnë bindshëm në zemër të Amerikës”, deklaroi zoti Brown në vitin 2018.

Këtë herë, zoti Brown kandidon përballë sipërmarrësit Bernie Moreno, ndërsa republikanët synojnë t’ua marrin këtë vend në Senat demokratëve dhe të fitojnë atje shumicën.

Zoti Moreno u tha përkrahësve se e mbështet me krenari ish presidentin Trump.

“Nuk di nëse Sherrod Brown-i do të përmendë me krenari mbështetjen prej 99% që i ka dhënë Joe Biden-it”, tha zoti Moreno.

Një burim optimizmi për demokratët është se votuesit në Ohajo refuzuan vitin e fundit një iniciativë të republikanëve për të kufizuar abortin në këtë shtet.

Aktivistja e të drejtave të riprodhimit Veronica Ingham thotë se rezultati tregon që banorët në Ohajo nuk votojnë sipas linjave partiake.

“Amerikanët mbështesin të drejtën për abort dhe dalin të votojnë për ta mbrojtur këtë të drejtë. Votuesit e bënë të qartë se nuk është çështje partiake. Njerëzit në Ohajo nuk dëshirojnë që qeveria të përfshihet në vendimet e tyre personale për shëndetin”, thotë zonja Ingham.

Por mundja e republikanëve në Ohajo për sa i përket çështjes së abortit mund të mos përkthehet në vota gjatë zgjedhjeve për president.

“Kur bëhet fjalë për çështje vlerash themelore, njerëzit në Ohajo janë nga të moderuar deri në liberalë. Nuk janë konservatorë në thelb. Por kur bëhet fjalë për kandidatë, ata votojnë më shumë republikanët. Është një nga çuditë e politikës”, thotë profesori Niven.

Në këtë garë për president, sipas anketimeve të RealClear Polling, zoti Trump kryeson me 10% ndaj zotit Biden./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat