Vdes O. J. Simpson, ylli i diskredituar i futbollit, i shpallur i pafajshëm për vrasje

Amerika

Vdes O. J. Simpson, ylli i diskredituar i futbollit, i shpallur i pafajshëm për vrasje

Më: 11 prill 2024 Në ora: 21:32
Obit OJ Simpson

O.J. Simpson, superylli i diskredituar i futbollit amerikan dhe aktor Hollivudi, i cili u shpall i pafajshëm nga akuzat për vrasjen e ish bashkëshortes së tij dhe të dashurit të saj, por më vonë i shpallur fajtor për një krim tjetër, vdiq në moshën 76 vjeçare.

Familja e tij njoftoi në platformën X se O.J. Simpson kishte vdekur të mërkurën pas një beteje me kancerin e prostatës. Avokati i tij konfirmoi për emisionin “TMZ” të kanalit FOX se ai vdiq në Las Vegas.

O.J. Simpson fitoi famë dhe pasuri si lojtar i futbollit amerikan dhe më pas si aktor, por trashëgimia e tij ndryshoi përgjithmonë nga vrasja me thikë në qershor të vitit 1994 e ish-bashkëshortes së tij, Nicole Brown Simpson dhe mikut të saj Ronald Goldman në Los Anxhelos.

Transmetimi i drejtpërdrejtë televiziv i arrestimit të tij pas një ndjekjeje të famshme me shpejtësi të ulët nga policia i dha një goditje të fortë famës së heroit të sportit.

Ai u duk se i kapërceu barrierat racore si ylli ekipit “Trojans” të Univeristetit të Kalifornisë Jugore në fund të viteve 1960, si një personazh i reklamave të makinave në fund të viteve 1970 dhe si bashkëshorti i një bjondeje me sy blu në vitet 1980.

Ai preferonte t’u thoshte miqve të tij "Unë nuk jam afrikano-amerikan, unë jam O.J.".

Publiku u magjeps nga gjyqi tij, që tansmetohej drejtëpërdrejt nga kanalet televizive. Për shkak të famës, gjyqi ndaj tij mori epitetin "gjyqi i shekullit". Rasti i tij ndezi debate mbi racën, gjininë, dhunën në familje, drejtësinë për personat e famshmëm dhe dhunën policore.

Juria në gjyqin penal e shpalli atë të pafajshëm për vrasje në vitin 1995, por një juri tjetër, po për vrasjet, por në një padi civile, e shpalli atë fajtor në 1997 dhe e urdhëroi t’u paguante 33.5 milionë dollarë anëtarëve të familjeve Brown dhe Goldman.

Një dekadë më vonë, Simpson në krye të një grupi prej pesë personash, që nuk i njihte mirë, sulmuan dy shitës relikesh sportive në një dhomë hoteli në Las Vegas. Dy persona nga grupi i O. J. Simpsonit ishin të armatosur. Juria e dënoi yllin e futbollit amerikan O.J. Simpson për grabitje të armatosur dhe krime të tjera.

I burgosur në moshën 61-vjeçare, ai kaloi nëntë vjet në një burg të largët të Nevadës veriore, duke përfshirë një periudhë si pastrues në një sallë sporti. Ai nuk u pendua për veprimin e tij kur u lirua me kusht në tetor të vitit 2017. Para një bordi të lirimit me kusht, ai këmbënguli sërish se ai thjesht ishte përpjekur të merrte reliket sportive që i takonin atij, por që i ishin të vjedhur pas gjyqit për vrasje në Los Anxhelos.

"Unë në thelb kam kaluar një jetë pa konflikte, ju e dini", tha ai gjatë seancës për lirimin me kusht. Ai e përfundoi dënimin në fund të vitit 2021.

Magjepsja e publikut me ish yllin e futbollit amerikan O.J. Simpson nuk u shua kurrë. Debatet kanë vazhduar nëse ai u dënua në Las Vegas, për shkak se nuk u shpall fajtor nga akuza për vrasje në Los Anxhelos. Në vitin 2016, ai ishte subjekt i një seriali televiziv në kanalin FX dhe një dokumentari në kanalin e sportit ESPN.

O.J. Simpson ka luajtur 11 vite në ligën kombëtare të futbollit amerikan, 9 prej të cilave me ekpin “Buffalo Bills” të Nju Jorkut./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat