Dhoma e Përfaqësuesve miraton vazhdimësinë e programit të debatueshëm të zbulimit

Amerika

Dhoma e Përfaqësuesve miraton vazhdimësinë e programit të debatueshëm të zbulimit

Më: 13 prill 2024 Në ora: 06:03
Foto ilustrim

UASHINGTON – Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane votoi të premten për të autorizuar vazhdimësinë e një programi të debatueshëm të zbulimit. Ky është një hap i rëndësishëm për mbajtjen në fuqi të një elementi kyç të operacioneve për mbledhjen e të dhënave nga shërbimet amerikane të zbulimit.

Ligjvënësit miratuan një projektligj që mban në fuqi seksionin 702 të Ligjit për Përgjimet e Zbulimit të Jashtëm (FISA), me një votim 273 pro dhe 147 kundër. Projektligji do të kalojë tashmë në Senat, ku pritet të marrë miratim dypartiak. Nëse nuk do të veprohej nga Kongresi, ky program survejimi do të skadonte më 19 prill.

Miratimi erdhi pasi vlefshmëria e këtij ligji ishte shkurtuar nga pesë në dy vite, me kërkesën e republikanëve.

Ligji FISA është pritur me kritika nga ligjvënës republikanë dhe demokratë, që besojnë se shkel të drejtat kushtetuese të amerikanëve për privatësinë. Gjatë pesë muajve të fundit, projektligji u bllokua tre herë nga ligjvënës republikanë që janë ngritur kundër qëndrimit të partisë së tyre.

Shtëpia e Bardhë, drejtuesit e shërbimeve të zbulimit dhe ligjvënësit kryesorë në Komisionin e Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve kanë paralajmëruar për pasoja të mundshme katastrofike nëse nuk ri-autorizohej ky program, që u konceptua pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2011.

Më herët këtë javë, ligjvënës republikanë patën kundërshtuar mbështetjen e dhënë nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, për një projektligj ku nuk reflektoheshin ndryshimet e kërkuara prej tyre.

Megjithëse e drejta e privatësisë është e sanksionuar nga Kushtetuta amerikane, ndër të dhënat për shtetasit e huaj që mblidhen nga ky program, shpesh ka edhe komunikime të bëra me amerikanë, që mund të shfrytëzohen nga agjencitë e zbatimit të ligjit, si FBI-ja, pa patur nevojë për një urdhër gjykate.

Një ndër çështjet më të debatuara ishte një amendament i paraqitur që do t’u kërkonte agjencive ligjzbatuese të siguronin urdhëra gjykate përpara se të hulumtonin të dhënat e mbledhura. Zyrtarët e ekzekutivit patën thënë se një ndryshim i tillë do të dëmtonte përdorimin e këtij programi nga agjenci si FBI-ja. Ky amendament nuk arriti të miratohej si pjesë e ligjit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat