Biden, Trump, pikëpamje të ndryshme mbi përfundimin e luftës në Ukrainë

Amerika

Biden, Trump, pikëpamje të ndryshme mbi përfundimin e luftës në Ukrainë

Më: 14 prill 2024 Në ora: 15:41
Foto ilustrim

Që nga fillimi i sulmit në shkallë të gjerë të Rusisë ndaj Ukrainës mbi dy vjet më parë, ka patur një rritje të mosmarrëveshjeve mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres mbi ndihmat ushtarake për Kievin. Korrespondentja e Zërit të Amerikës në Uashington, Carolyn Presutti, shpjegon se si dy kandidatët kryesorë presidencialë dallojnë në mënyrën se si duhet trajtuar agresioni rus në Ukrainë.

Kanë kaluar më shumë se dy vjet që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë të Rusisë në Ukrainë.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara miratuan shitjen prej 138 milionë dollarësh të pajisjeve për sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës “HAWK”, që përdoren për interceptimin e raketave ruse.

Në fjalimin mbi gjendjen e vendit muajin e kaluar, Presidenti Joe Biden tha se Ukraina ka nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për t'u bërë ballë sulmeve të Rusisë.

“Nëse dikush mendon se Putini do të ndalet në Ukrainë, ju siguroj se ai nuk do të ndalet. Ukraina mund ta ndalë Putinin nëse e mbështesim Ukrainën dhe e furnizojmë me armët që i nevojiten për të mbrojtur veten”, tha Presidenti Biden.

Që nga fillimi i agresionit rus, administrata e Presidentit Biden ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve ruse dhe ka dërguar 75 miliardë dollarë ndihma në Ukrainë.

Steven Kassels, djali i një emigranti ukrainas, thotë se do të votojë për zotin Biden.

“Të shikosh luftën atje, të shikosh Putinin dhe të shikosh njerëzit atje me të cilët për fat të keq e ka lidhur veten të paktën emocionalisht Presidenti Trump, është shumë e frikshme”, thotë ai.

Gjatë presidencës së tij, Donald Trump mbajti një marrëdhënie të ngushtë me presidentin rus Vladimir Putin. Pesë vjet më vonë, ai e quajti atë një "gjeni" për vendimin e tij për të sulmuar Ukrainën.

Sipas gazetës Washington Post, zoti Trump ka thënë se do t'i jepte fund luftës duke i bërë presion Ukrainës që t'i japë Rusisë territor. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy e ka quajtur këtë "një ide primitive". 

Në një tubim së fundmi, zoti Trump përmendi një bisedë mbi Ukrainën që kishte zhvilluar me një udhëheqës të një vendit që nuk i ka përmbushur detyrimet financiare si anëtar i NATO-s. 

“Nëse nuk paguajmë dhe sulmohemi nga Rusia, a do të na mbroni?”

Unë i thashë jo. Nuk do t’ju mbrojmë. Në fakt, unë do t’i inkurajoja ata të bënin çfarë të donin me ju.”

Zoti Biden dhe zoti Trump kanë dallime të mëdha mbi mënyrën se si duhet t’i jepet fund luftës në Ukrainë. 

"Presidenti Trump u ka bërë një premtim amerikanëve, të cilin ata mund të besojnë se ai do ta përmbushë, për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, për të negociuar një marrëveshje paqeje me të dyja palët", tha zëdhënësja e fushatës së zotit Trump, Karoline Leavitt.

Për këtë arsye, Isaac Geer nga Nju Hempshër thotë se do të votojë për zotin Trump.

“Është vërtetë e rëndësishme për mua që ne të qëndrojmë jashtë çdo lufte të huaj, të mbajmë shpenzimet tona ushtarake në nivele të ulëta dhe t'i kthejmë trupat tona në vend apo t'i mbajmë ata në vend”, thotë ai.

Ndërkohë, një projekt-ligj për dërgimin e 60 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat